Brenda dhjetorit të këtij viti, profesionistët e lirë që kishin paguar tatimin prej 15%, do të marrin paratë e tyre mbrapsht. Kështu tha ministri i Financave, Petrit Malaj.
Ata e kishin parapaguar tatimin pas miratimit të ligjit, por në qershor të këtij viti Gjykata Kushtetuese vendosi unanimisht rrëzimin e nenit 69 që diskriminonte profesionistët e lirë, duke vendosur që tatimi i tyre të fillojë në vitin 2029, njësoj me bizneset e tjera.
Zbatimi i ligjit me llogaritjet e këstit të parapagimit të tatimit shkaktoi debate te bizneset e profesioneve të lira, të cilën e konsideruan zbatimin e tij jokorrekt.
Në ligj parashikohej se tatimi 15% për të vetëpunësuarit me të ardhura vjetore deri 10 000 000 lekë në vit llogaritet mbi fitimin, pas zbritjes së shpenzimeve fikse të padeklaruara në kontabilitet në vlerën 30%, duke përfshirë dhe të ardhurat nga paga minimale, ndaj totalit të ardhurave vjetore. Ligji parashikon përzgjedhjen e regjimit të veçantë të zbritjes së shpenzimeve 30% nga biznesi ose opsionin e zgjedhjes së deklarimit të tyre me kontabilitet.
Ndërsa kategoria tjetër e bizneseve që përfshihen në të ardhurat vjetore mbi 14 milionë lekë kanë detyrimin e deklarimit të shpenzimeve vjetore pranë administratës tatimore, ndryshe nga fashë e parë që u njihen shpenzime fikse apo të pambajtura në kontabilitet në masën 30%.
Pas zbritjes së shpenzimeve të deklaruara në administratën tatimore fitimi i kësaj kategorie do të tatohet me normën tatimore 23%.