Shtatë universitetet publike në vend shpenzuan në harkun kohor të një viti gati 88 milionë euro, por paratë shkuan në masë të madhe për rroga, siguri dhe rikonstruksione, ndërsa shpenzimet për kërkimin shkencor ranë në nivelin 0.17 për qind, ose rreth 150 mijë euro.
Qëndresa Qytetare ka monituar shpenzimet e universiteteve nga 1 shtatori i vitit të kaluar deri më 31 gusht të këtij viti. Sipas analizës, 5 nga 7 universitetet e monitoruara dedikojnë më shumë se 55 për qind të shpenzimeve për personelin, gjë që kufizon fondet për zhvillimin akademik dhe përmirësimin e infrastrukturës. Universiteti i Shkodrës shpenzon gati 72 për qind të buxhetit vjetor për paga.
Universiteti Politeknik i Tiranës ka kryer shpenzime në vlerë 1,36 milionë Euro për mjete dhe pajisje teknike, ku peshën kryesore e zënë investimet në modernizimin e laboratorit të makinave elektrike, por studentët nuk kanë akses te ky laborator.
Shtatë universitetet kanë shpenzuar 7.6 milionë Euro për rikonstruksionin e godinave. Pavarësisht se UT ka shpenzuar gati 500 mijë euro për pajisje informatike dhe ka rritur me 71 për qind shpenzimet për kancelari krahasuar me një vit më parë, studentët dhe pedagogët vijojnë të ankohen për mungesën e internetit, kompjuterave dhe kostot shtesë për printime jashtë universitetit.
Universiteti i Shkodrës vazhdon të ketë shpenzime të larta për blerje karburanti ku në një vit ka shënuar vlerën 113 mijë Euro, këto të kontraktuara vetëm me një operator ekonomik, ndërsa edhe Universiteti i Korçës ka shpenzuar për blerje nafte për traktorin e disponuar nga universiteti në vlerën vjetore 8 200 euro.
Universiteti i Korçës ka koston më të lartë për një student. Një student i kushton buxhetit 2100 Euro kur në Universitetin e Tiranës kostoja për një student llogaritet 1400 Euro. Universiteti Politeknik dhe Universiteti i Tiranës kryesojnë listën e shpenzimeve për sigurinë, me gati 1.6 milionë euro secili.