Inflacioni bazë ra për të dytin muaj radhazi në tetor dhe preku nivelin më të ulët në tre vitet e fundit.
Sipas informacionit Bankës së Shqipërisë, inflacioni bazë zbriti në 2.19%, nga 2.32% që kishte qenë në muajin shtator. Edhe me bazë vjetore inflacioni bazë ngelet në rënie të ndjeshme. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar inflacioni bazë shënonte nivelin 3.67%.
Me rënien e mëtejshme të muajit tetor, inflacioni bazë është stacionuar pranë nivelet mesatar historik, prej 2.2%.
Inflacioni bazë llogaritet nga Banka e Shqipërisë për një grup mallrash dhe shërbimesh që zënë 69% të peshës në shportën e përgjithshme të Indeksit të Çmimeve të Konsumit. Inflacioni bazë përjashton ato produkte që zakonisht kanë luhatshmëri të lartë, kryesisht produktet ushqimore dhe ato energjetike.
Qëllimi i llogaritjes së inflacionit bazë është ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga luhatjet me natyrë më afatshkurtër. Në veçanti, inflacioni bazë lidhet me presionet e brendshme inflacioniste, që në vitet e fundit janë ndikuar shumë prej rritjes së kostos së punës të bizneseve.
Inflacioni bazë ngelet pak më i lartë se inflacioni mesatar në ekonomi, por në vija të përgjithshme ka ndjekur tendencën e tij rënëse. Sipas INSTAT, për tetorin inflacioni zbriti në 1.9%, duke qëndruar nivelin më të ulët në më shumë se tre vjet.
Në analizën e Bankës Qendrore, rënia e shpejtë e inflacionit gjatë vitit 2024 ka pasqyruar, në masën më të madhe, rënien e inflacionit të importuar. Paralelisht me të, edhe inflacioni i gjeneruar nga zhvillimet e brendshme ekonomike ka ardhur në rënie, por kjo rënie ka qenë më e ngadaltë dhe presionet e brendshme inflacioniste ndodhen pranë mesatareve të tyre afatgjata.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi javën e kaluar të ulë normën bazë të interesit nga 3% në 2.75%. Kjo ishte ulja e dytë e normës bazë për këtë vit, pas uljes së parë të vendosur në fillim të muajit korrik.