Sa është fatura për të shmangur përmbytjet? Mungesa e sigurimit në bujqësi lë në “qiell të hapur” fermerët

14 Nëntor 2024, 11:50Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

“Kemi 27 hidrovore, Darzeza mbështetet me Bankën Botërore, megjithatë jo të gjitha hidorvoret janë në nevojën për investime. 4 hidrovoret që ne kemi punuar me fondet buxhetore që të këtij viti, dhe duhet të kuptojmë janë investime që kanë nevojë për shumë buxhet, parashikon mbështetje buxhetore dhe për 2025-2026, dhe në  këtë frymë kemi punuar me 44 projektet e 29 bashkive, sepse të gjitha projektet në një vit në sistem ujitje kullimi nuk mund të mbulohen. Nevojat e sistemeve qendrore ka nevojë për një fond që llogaritet në 700 milionë euro.

Ndërsa kemi hyrë sërish në sezonin vjeshtë-dimër i cili shoqërohet me intensitet të lartë të reshjeve të shiut dhe dëborës, të cilat shkaktojnë përmbytje dhe dëme të mëdha ekonomike në toka bujqësore, bagëti, biznese,  edhe këtë vit gjendemi të papërgatitur përballë përmbytjeve për shkak të faturës së “kripur”.

Situata bëhet edhe më problematike për shkak të mungesës së një skeme të sigurimit në bujqësi, duke i bërë fermerët të ekspozuar totalisht ndaj kushteve atmosferike dhe pasojave që sjellin ato.

Por çfarë po bëhet për të zgjidhur këtë situatë?  Kjo nevojë duket se është adresuar edhe pranë Komisionit Evropian, në mënyrë që një pjesë e fondit të planit të rritjes, të shkojë dhe për infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit.

“Vërtetë i kemi sistemet të trashëguara të para 90’-ës por mirëmbajtja e tyre është një fond buxhetor i konsiderueshëm që ne nuk e bëjmë dot me fonde vetëm buxhetore dhe ndaj kemi filluar që me WBIF të vendosim prioritete për prefizibilitete  dhe të kemi mundësi që të jemi dhe tek plani i rritjes. Në janar të këtij vitit kemi firmosur të gjithë ministrat e Ballkanit Perëndimor nevojën për të adresuar tek Komisioni Europian që të përfitojmë nga plani i rritjes për infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit, e cila është po aq e rëndësishme sa infrastruktura rrugore. Duhet ta shohim përtej mbështetjes buxhetore të një viti apo 4 viteve nga mbështetja buxhetore”.

Nga tjetër është nënshkruar dhe një marrëveshje me qeverinë turke për aplikimin e modelit turk të sigurimit në bujqësi. Në buxhetin e vitit 2025 është parashikuar një fond prej rreth 30 milionë eurosh për ujitjen dhe kullimin ose 13 për qind më shumë se një vit më parë. Ndërkohë që në vitin 2024, investimet kanë rezultuar në 10% më shumë.

Video