Prodhuesit shqiptarë përballen me refuzimin e produkteve bujqësore në kufi, kthimin apo asgjësimin e tyre, për shkak të mungesës së cilësisë dhe standardeve duke u shkaktuar humbje të madhe ekonomike si dhe duke cenuar objektivin e Shqipërisë për të arritur 1 miliardë euro eksporte bujqësore në vitin 2030.
Në një dekadë, konkretisht përgjatë periudhës 2010 – 2020, referuar analizës së refuzimeve të produkteve shqiptare në kufi, të ndërmarrë nga UNIDO, më shumë se gjysma e totalit të refuzimeve (58%) erdhi nga tregu i BE-së, ndërsa Kina përbënte një të tretën e tyre (31%).
Forumi i dytë Kombëtar mbi Cilësinë dhe Standardet 2024 i organizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Industrial (UNIDO) në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit trajtoi sfidat me të cilat përballen këto biznese për të përmbushur standardet ndërkombëtare si dhe masat që po merren për forcimin e infrastrukturës së cilësisë, me qëllim rritje e eksporteve dhe zgjerimin e hartës ku shkojnë prodhimet “Made in Albania.
Dorina Nati, Menaxhere e Programit Global, GQSP: “Për të shfrytëzuar më së miri potencialin e bujqësisë shqiptare, duhet të trajtojmë sfidat që kanë të bëjmë me përputhshmërinë duke pasur parasysh forcimin e infrastrukturës. Shqipëria mund të rrisë konkurrushmërinë e produkteve te saj dhe sigurinë për konsumatorët. Refuzimet në kufi është një çështje kritike për ti trajtuar përmes forcimit të infrastrukturës përkatëse. UNIDO ka një rekord prej 50 vitesh sa i takon rritjes se standardeve në shume vende. Strategjia e zhvillimit te infrastrukturës së cilësisë së UNIDO shkon drejt zhvillimit te qëndrueshëm. Duhet ta shohim infrastrukturën e cilësisë si një platformë për të gjetur zgjidhje. Infrastruktura e cilësisë së shëndetshme do të jetë një instrument i fuqishëm për të arritur objektivat ambicioze që Shqipëria ka vendosur për qytetaret shqiptarë”.
Programi Global i Cilësisë dhe Standardeve (GSQP) në Shqipëri, mbështetur nga qeveria zvicerane përmes Sekretariatit Shtetëror për Çështjet Ekonomike (SECO), dhe zbatuar nga UNIDO, po asiston prodhuesit e vegjël dhe të mesëm në vend që të rrisin cilësinë edhe standardet e produkteve të tyre, në mënyrë që të aksesojnë tregjet evropiane dhe me gjerë, si dhe të shmangin refuzimet në kufi.
Ruth Huber, Ambasadore e Zvicrës në Shqipëri: “Ky forum është një hap i rëndësishëm ne punën e përbashkët për të mbështetur ekonominë e Shqipërisë dhe hap edhe mundësi të reja ekonomike duke krijuar një fushë të re për produkte shqiptare që të lulëzojnë në tregjet europiane, prandaj është e rëndësishme për Shqipërinë që të sigurojë infrastrukturën e cilësisë e cila do te forcoje dhe konkurrueshmerinë qe do të sjellë me shume vëllime të eksporteve. Për bujqësinë dhe prodhuesit duhet te mbahet cilësia, ndërkohë që kërkohet dhe sasia. Për qeverinë sfida është të ndërtohet infrastruktura cilësore dhe të jenë mekanizmat kontrolluese”.
Fiona McCluney, Përfaqësues e përhershme e OKB, Shqipëri: “Cilësia dhe standardet nuk kanë të bëjnë thjeshtë me kërkesa, por ndikojnë në rritjen ekonomike dhe barazinë sociale. Nisma e përbashkët nga UNIDO dhe SECO është një program që funksionon në të gjithë botën për të forcuar kapacitetet e SME-ve dhe për të lehtësuar qasjen e tyre ne tregje si ne nivel vendi ashtu dhe në nivel global”.
Forumi bëri bashkë mbi 200 pjesëmarrës nga një spektër i ndryshëm palësh të interesuara duke inkurajuar bashkëpunimin për të përmirësuar Infrastrukturën e Cilësisë në dritën e avancimeve teknologjike dhe dinamikave të tregut. Programi Global i Cilësisë dhe Standardeve (GQSP), është një iniciativë e gjerë që mbështet 14 vende në mbarë botën, përfshirë Shqipërinë./ Elisabeta Dosku/ Scan Tv