Propozimi i KQZ-së dhe disa përfaqësuesve të partive politike në vend për krijimin e një zone zgjedhore të 13-të, me 5 deputetë të rezervuar për diasporën ka marrë kundërshtinë e një shoqate të quajtur "Diaspora për Shqipërinë e Lirë"
Përmes një deklarate të shpërndarë në rrjetet sociale, kjo shoqatë shprehet se ky propozim dobëson peshën e votës së diasporës dhe tenton të zvogëlojë dhe qendërzojë influencën e mbi 1.4 milion shqiptarëve të diasporës të cilëve kushtetuta u garanton të drejtën e votës.
Ajo shton më tej se çdo propozim që synon të shpërfytyrojë qëllimin dhe të drejtën e votimit nga jashtë te shtetasve shqiptar, do të përballet me rezistencë nga Lëvizja e tyre dhe do të luftohet me të gjitha mjetet ligjore dhe politike në dispozicion të shoqërisë civile.
Deklarata e plotë:
Diaspora për Shqipërinë e Lirë (DPSHL) përshëndet KQZ-në dhe OSBE-në për konferencën e organizuar me temë "Votimi nga jashtë, koha është tani" të datës 24 Maj 2022, ku lëvizja u përfaqësua nga tre prej anëtarëve të saj.
Në këtë konferencë, Bledar Milaqi, bashkëthemelues dhe sekretar i përgjithshëm i DPSHL-së, ritheksoi domosdoshmërinë e mosmohimit dhe të mostjetërsimit të votës së shqiptarëve jashtë Shqipërisë. Ndërsa detajet teknike dhe modalitetet në lidhje me këtë temë jetike për të ardhmen e demokracisë shqiptare mbeten për t'u diskutuar, DPSHL-ja ka ndjekur me shqetësim propozimin e disa përfaqësuesve te partive politike për krijimin e një zone zgjedhore të 13-të, me 5 deputetë të rezervuar për diasporën. Lëvizja deklarohet kategorikisht kundër këtij propozimi i cili dobëson peshën e votës së diasporës dhe tenton të zvogëlojë dhe qendërzojë influencën e mbi 1.4 milion shqiptarëve të diasporës të cilëve kushtetuta u garanton të drejtën e votes.
Ka një dhe vetëm një votë, të barabartë për të gjithë. Çdo propozim që synon të shpërfytyrojë qëllimin dhe të drejtën e votimit nga jashtë te shtetasve shqiptar, do të përballet me rezistencë nga Lëvizja jonë dhe do të luftohet me të gjitha mjetet ligjore dhe politike në dispozicion të shoqërisë civile! Vota jonë ka peshë!'- thuhet në deklaratën e shoqatës.