VIDEO / Kush është vlonjati me pseudonimin “Zoto” që u kap me armë me silenciator dhe mina me telekomandë

12 Shkurt 2024, 17:33Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Arrestimi i Gjergji Dervishajt dhe armët e sekuestruara

Policia e Vlorës ka dhënë informacion lidhur me gjetjen e një sasie të madhe armatimesh ditën e sotme gjatë operacionit të koduar “Knock Out 4”.

Në pranga është vënë 31-vjeçari nga Vlora, Gjergji Dervishaj, i njohur edhe me pseudonimin “Zoto”. Ai është person me precedentë të mëparshëm kriminalë në fushën e narkotikëve.

Gjatë kontrollit të një biznes, të fshehura brenda një valixheje u gjet 1 minë me telekomandë, 4 armë zjarri automatik (njëri prej tyre me silenciator), 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë zjarri imituese,  12 krehra armësh, rreth 800 fishekë, 1 jelek antiplumb, 1 peshore elektronike dhe 1 palë targa automjeti.

Dyshohet se armatimet do të përdoreshin në ngjarje kriminale, por edhe mund të jenë përdorur në të kaluarën. Për këtë arsye armët janë dërguar për analiza në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme.


Njoftimi i Policisë:

Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë, e bazuar në inteligjencën policore, parandalon ngjarje të rënda kriminale që mund të kryeshin me armë zjarri dhe mina me telekomandë.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Knock Out 4”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Vlorë dhe strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.

Sekuestrohen 1 minë me telekomandë, 4 armë zjarri automatik (njëri prej tyre me silenciator), 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë zjarri imituese,  12 krehra armësh, rreth 800 fishekë, 1 jelek antiplumb, 1 peshore elektronike dhe 1 palë targa automjeti.

Vihet në pranga 31-vjeçari që posedonte arsenalin e armëve.

I arrestuari, me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve.

Armët e zjarrit do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme, për të parë nëse janë përdorur në ngjarje kriminale të ndodhura më parë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë dhe të DVP Vlorë, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit në territor dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe vënien përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve që i disponojnë ato, pas informacionit të siguruar përmes inteligjencës policore se në lagjen “Isa Boletini”, një shtetas posedonte armë zjarri, në një ambient në pronësi të tij, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Knock Out 4", si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasi:

Gj. D., 31 vjeç, banues në Vlorë.

Gjatë kontrollit në ambientin në përdorim të 31-vjeçarit (i njohur me nofkën “Zoto”) dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 1 minë me telekomandë, 4 armë zjarri automatik (njëri prej tyre me silenciator), 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë zjarri imituese, 12 krehra armësh, rreth 800 fishekë, 1 jelek antiplumb, 1 peshore elektronike dhe 1 palë targa automjeti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Video