
Pasditen e së shtunës, në stadiumin “Selman Stërmasi”, ekipi i xhirimit të emisionit investigativ “Piranjat” u përball me një akt dhune dhe kërcënimi.
Gazetari dhe operatori ndodheshin aty për të pyetur aksionerin kryesor të kompanisë Air Albania, Sinan Idrizi, lidhur me largimin nga puna të dy sanitareve të kompanisë, të cilave, sipas denoncimeve, nuk u ishin paguar as sigurimet shoqërore.
Në vend që të jepte një shpjegim mbi situatën, Idrizi reagoi duke përdorur arrogancë ndaj gazetarëve që kërkonin sqarime për shkarkimet.
Sipas denoncimit të emisionit "Piranja" situata eskaloi edhe më tepër pasi Presidenti i klubit të Tiranës, Refik Halili, i mori me forcë telefonin gazetarit, duke e përfshirë edhe vetë në incident.
Ngjarja e së shtunës vjen në një kohë kur rastet e presioneve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve në Shqipëri janë rritur, duke vënë në pikëpyetje sigurinë e tyre gjatë ushtrimit të profesionit.
Redaksia e “Piranjave” e ka denoncuar publikisht këtë sulm dhe ka bërë thirrje për reagim nga organizatat ndërkombëtare të lirisë së shtypit, si dhe nga përfaqësitë diplomatike në Shqipëri.