
Partia Demokratike deklaron se tenderi i Fondit Shqiptar të Zhvillimit për krijimin e menysë në kuadër të projektit 100 fshatrat pasqyron modelin e qeverisjes së Edi Ramës.
“Nuk abuzohet vetëm me kostot marramendëse të një menuje prej 500 milionë lekësh, por edhe me barazinë në garë, ku si në traditën më të keqe të qeverisë Rama, klientelizimi dhe konflikti i interesit mbizotërojnë mbi interesin publik”, deklaroi deputeti i PD, Arbi Agalliu.
Sipas dokumentacionit të publikuar në media, në tenderin për shërbime konsulence ku parashikohet krijimi i një menuje tradicionale me vlerë 500 milionë lekë, Fondi Shqiptar i Zhivllimit nuk ka përzgjedhur vetëm ofertën me vlerë më të lartë, rreth 15 mijë dollarë më shumë se ofertuesi më i lirë, por ka përzgjedhur si fituese kompaninë në pronësi të kuzhinierit të punësuar në restorantin e djalit të drejtorit të FSHZH-së, Dritan Agolli.
“Ky shpërdorim me taksat e shqiptarëve kërkon një hetim të shpejtë nga drejtësia shqiptatre, vecanërisht kur abuzimi me tenderat ndodh në një kohë shumë të vështirë për vendin, i cili vuan krizën e korrupsionit, që po godet mirëqenien e e familjeve shqiptare. SPAK duhet urgjentisht të hetojë këtë aferë korrupsioni dhe të çojë para drejtësisë ata që vjedhin paratë publike të taksapaguesve shqiptarë”, mbylli deklaratën e tij, deputeti Agalliu.