
Që Sali Berisha nuk do të regjistrohej dot me logon e Partisë Demokratike, kjo u u kuptua që kur Ilirjan Celibashi largoi nga mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ivi Kason, duke e zëvendësuar atë me Indrit Sefën, ashtu siç kishte kërkuar Lulzim Basha.
Që do të shkonte në një koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim edhe kjo ishte e parashikuar. Por, ajo që nuk parashikohej ishte tërheqja e LSI-së nga gara e zgjedhjeve të pjesshme lokale.
Berisha prezantoi sot gjashtë kandidatët që dolën në primaret e mbajtura të së dielës. Pasi tha se logon e PD-së e ka marrë peng Edi Rama sqaroi se do të hynte në një koalicion ku nuk përjashtohej edhe LSI. Koalicionin e zyrtarizoi vetë LSI pak më vonë me një deklaratë ku tha se “ishte pjesë e koalicionit të vërtetë opozitar”.
Pra, LSI do të mbështesë të gjashtë kandidaturat e shpallura nga Sali Berisha në zgjedhjet e 6 marsit, duke hequr vetë dorë nga synimet për të konkurruar të paktën në një bashki. Lëvizja duket e mirëmenduar mes palëve për të maksimizuar votën e “Foltores” dhe minimizuar atë të Partisë Demokratike zyrtare.
Pra, “nderi” që Ilir Meta i bëri Sali Berishës përmes shpalljes së zgjedhjeve të pjesshme vendore në një periudhë të vështirë për Lulzim Bashën përmbyllet me marrëveshjen e sakrificën që “zhduk” siglën e LSI-së nga fleta e votimit për zgjedhjet e pjessshme lokale.
Si ngushëllim për LSI-në në këto zgjedhje mund të shërbejë Premtim Kryemadhi, kandidati i Berishës në Dibër, që vjen nga i njëjti fis i kryetares së kësaj force politike.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.