Rama-Rrumbullakut: Ke 100 ditë kohë për nxjerrjen e Policisë nga udhëkryqi!

7 September 2022, 17:42Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Rama-Rrumbullakut: Ke 100 ditë kohë për nxjerrjen e Policisë

Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me drejtuesit e policisë tha se “Brenda 100 ditësh Policia e shtetit duhet të dalë nga udhëkryqi ku ndodhet”.

“Zoti drejtori i përgjithshëm unë nuk e teproj po të them që brenda 100 ditësh Policia e Shtetit duhet të dalë nga udhëkryqi ku ndodhet”, u shpreh Rama.

Në takimin e sotëm ku u prezantua drejtori i ri i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, Rama mohoi dhe ndërhyrjet për emërimet në Policinë e Shtetit, një nga aludimet për arsyet e shkarkimit të Gledis Nanos si drejtor i përgjithshëm.

“Siç e ka pasur paraardhësi juaj, pa kushte, pa asnjë ekuivok, apo interferencë, qoftë e largët dita kur unë do zë me gojën time emrin e ndonjë oficeri policie çoje këtu çoje atje, deri tani s’ka ardhur, mbështetjen politike do e keni dhe ju. Telefonatave ju  keni për detyrë t’i përgjigjeni, por kërkesave në telefon nuk keni për detyrë t’i përgjigjeni, nga kushdo qoftë që të vijnë. Ditën që unë do t’ju marr në telefon duke ndërhyrë, ju keni të drejtë të bëni shërbime të kësaj natyre”, tha Rama.

“Forca përpara, duke bërë natën ditë që e nesërmja të jetë akoma më e mirë për policinë e shtetit dhe kur është më mirë për policinë e shtetit kështu është edhe për shqiptarët që kanë vendosur të jetojnë në këtë vend”, mbylli fjalimin e tij Rama.


Video