
Shoqata e transportit publik në vend deklaron se po përballet me një situatë të rënduar financiare. Sipas tyre, pavarësisht shqetësimeve të ngritura prej javësh dhe takimit të zhvilluar më 1 prill 2026 me institucionet përgjegjëse, ende nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret për mbështetjen e sektorit.
Si pasojë e kësaj situate, duke nisur nga nesër, transporti publik do të reduktojë me 40% numrin e mjeteve në qarkullim, si një masë e detyruar për përballimin e krizës.
“Kjo mungesë reagimi dhe veprimi konket ka përkeqësuar ndjeshëm situatën financiare të operatorëve, të cilët ndodhen tashmë në kushte tejet të vështira për të përballur vazhdimin e aktivitetit.
Për pasojë ju bëjmë me dije se, duke filluar nga nesër do të reduktojmë numrin e mjeteve në qarkullim duke e ulur me 40 për qind flotën në shërbimin e transportit publik, si një masë e detyruar për përballimin e kësaj situate emergjente”, thuhet në njoftim.
Në fund, operatorët u bëjnë thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe planifikim të udhëtimeve, duke theksuar se ky vendim nuk është një zgjedhje, por një domosdoshmëri për shkak të mungesës së reagimit në kohë nga institucionet.