'Po shkonin të kryenin vrasje në Dibër'/ Arrestohen 4 "të fortët" në Tiranë, 2 me precedentë penalë (Emrat)

24 Nëntor 2022, 14:26Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Policia e Tiranës ka arrestuar gjatë mbrëmjes së djeshme katër persona pasi atyre iu kapën 4 armë zjarri të llojeve të ndryshme. Blutë bëjnë me dije se gjatë një kontrolli janë gjetur 2 pistoleta, të fshehura në pjesën e motorit të makinës si edhe dy kallashnikovë.

Mësohet se personat në fjalë janë me precedent penale dhe ishin nën mbikëqyrjen e policisë, e cila ka ndërhyrë duke neutralizuar ndonjë ngjarje kriminale ku do të përdoreshin armët në fjalë. Burime për VoxNews thanë se të arrestuarit po shkonin të kryenin vrasje në Dibër.

Emrat sipas policisë: 

Bledar Matoshi, 33 vjeç, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje;

Kid Koshena, 28 vjeç, i dënuar më parë për plagosje të rëndë;

Klajdi Vrioni (Kodra), 32 vjeç, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe për plagosje të rëndë;

Redion Meshi, 22 vjeç, drejtonte automjetin ku u gjetën armët. Automjeti ishte në pronësi të shtetasit Klajdi Vrioni (Kodra)

Njoftimi

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4 dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, operacioni policor i koduar “Katrori”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje.

Qarkullonin me automjet, në të cilin mbanin 2 armë zjarri pistoleta, vihen në pranga 4 shtetas, 3 prej tyre me precedentë kriminalë, në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe krimeve kundër personit.

Policia gjen edhe 2 armë zjarri kallashnikovë që i posedonte njëri prej personave të arrestuar. Sekuestrohen gjithësej, në kuadër të këtij operacioni, 4 armë zjarri (2 pistoleta dhe 2 kallashnikovë).

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, Tiranë, në vijim të kontrolleve për kapjen e shtetasve që qarkullojnë me armë zjarri, mbështetur dhe nga inteligjenca informative, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Katrori”.

Si rezultat i këtij operacioni, u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga shtetasit: B. M., 33 vjeç; K. K., 28 vjeç; K. V. (K.), 32 vjeç dhe R. M., 22 vjeç.

Shërbimet e Policisë ndaluan në hyrje të fshatit Tujan, në rrugën e Arbërit, automjetin tip “Range Rover” me të cilin qarkullonin këta 4 shtetas. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, u gjetën 2 armë zjarri pistoleta, me krehëra me municion luftarak, të fshehura poshtë kofanos së automjetit.

Në vijim të operacionit “Katrori”, u ushtrua kontroll edhe në banesat e këtyre shtetasve dhe si rezultat, në banesën e shtetasit të arrestuar R. M., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe 2 armë zjarri kallashnikovë dhe një sasi municioni luftarak.

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 4 armë zjarri, një sasi e konsiderueshme municioni luftarak, 5 aparate celulare dhe automjeti me të cilin lëviznin 4 të arrestuarit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Video