“Po nuk ja mora unë paratë, dikush tjetër do ja marrë”/ Detaje të reja: Kush janë “Team leader”-at e call centerave që u shoqëruan nga policia!

14 Prill 2026, 11:16Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese

Detaje të reja nga aksioni i Prokurorisë së Tiranës, në kuadër të operacionit të zhvilluar mbrëmjen e djeshme në kryeqytet ku u goditën tre Call Center-a që mashtronin të huaj me qëllim zhvatjen e shumave të mëdha të parave.

Ndaj të gjithë personave rëndon vepra penale ‘Mashtrim komjuterik’.

VoxNews ka inicialet e “Team leader”-ave që janë shoqëruar ditën e djeshme nga policia: K.B, B.B, K.D, E.T dhe E.H.

Kujtojmë se, pas dokumentarit të transmetuar në “Exclusive” në Top Channel, Prokuroria e Tiranës, në bashkëpunim me krimet kibernetike dhe krimin ekonomiko-financiar, ka kryer një aksion në Tiranë për call center.

Hetimet flasin për mijëra qytetarë evropianë të mashtruar, ndërsa dëmi ekonomik i shkaktuar nga ky aktivitet dyshohet të kalojë shifrën e 50 milionë eurove. 

Aktualisht nën hetim janë dhe disa baza të tjera të dyshuara se shërbejnë si Call Center-a mashtrimi.

Prokurori i SPAK, Ened Nakuçi tregon për “Exclusive” me Anila Hoxhën, ekzistencën e dy lloje call center-ave, më të njohurat ato fantazmë.

“Në eksperiencën e punës tonë rezulton se një pjesë e tyre kanë qenë të ligjshme dhe kanë qenë të regjistruara pranë zyrave përkatëse, por bashkë me të kryejnë edhe mashtrimin kompjuterik të shtetasve evropianë. Tipologjia tjetër pa u regjistruar në organet tatimore, pa u raportuar”, u shpreh Nakuçi.

Nërkohë Klodian Bilushi, shef për hetimin e krimeve kibernetike thotë: “Ata ndërtuan një faqe të ngjashme me policinë e shtetit dhe kërkonin të japim të dhënat.”

Përmes teknologjisë që ofron lehtësira, jetohet në fakt në hapësirën mes reales dhe virtuales, në një botë dixhitale ku një klikim i gabuar, si dhe aplikacionet e kthyer shpesh në armë të re moderne, rrezikojnë të të rrëmbejnë gjithçka, duke nisur nga privatësia tek llogaria bankare.

Dhe kur ky krim nuk ka fytyrë, incidentet e shpeshta online e kthejnë jetën tonë në një hapësirë ku viktimat dhe autorët bashkëjetojnë pa e njohur njëri-tjetrin.

Shqiptarë, izraelitë, italianë, ukrainas vazhdojnë të jenë nën hetim si pjesë e rrjeteve që kanë aktivitet ndërkombëtar. 

Ka një kod të pashkruar në botën e call center-ave mashtruese, ata kurrë nuk të prezantojnë me emrin e vërtetë. Joshin me garancinë, “sa më shumë investon, aq më shumë fiton”. Motoja e tyre është: “Po nuk ja mora unë paratë, dikush tjetër do ja marrë.”


Video