Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka pezullluar nga detyra sot një efektiv policie në Lushnjë. Bëhet fjalë për inspektorin me iniciale G. R., 43 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist për policimin në komunitet në Komisariatin e Policisë Lushnje.
Ky vendim ka ardhur pasi Gjykata e Lushnjës i ka caktuar sot këtij shtetasi masën e sigurimit me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.
"Vendimi ndaj këtij shtetasi është marrë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnje mbi bazën e materialeve proceduriale të dërguara nga Drejtoria Rajonale e AMP Fier-Berat, e cila duke përdorur edhe metodat e posaçme të hetimit nën drejtimin e Prokurorit, ka siguruar provat që vërtetojnë se ai ka konsumuar veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”." thuhet në njoftimin e AMP-së.
Në reagimin e AMP-së thuhet më tej se në shkelje të ligjit dhe funksionit të tij organik, Inspektor G. R., me veprimet dhe mosveprimet e tij, gjatë viti 2021, ka lejuar dhe favorizuar kryerjen e ndërtimeve pa leje.