Një tjetër inspektor i IKMT Vlorë, përgjegjës për territorin e bashkisë Sarandë, është arrestuar pasi Gjykata e Sarandës i ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg për “shpërdorim detyre” lidhur me ndërtimet pa leje kryesisht në zonën e Ksamilit.
Bëhet fjalë për inspektorin e IKMT-së së Vlorës, Martin Arapi i cili kishte detyrën e përgjegjësit për ndërtimet në Sarandë.
Në total në kuadër të këtij operacioni janë gjashtë zyrtarë që akuzohen për shpërdorim detyre, 3 prej të cilëve janë lënë në Gjykata e Sarandës.
“Arrest në burg” Gjykata ka dhënë edhe për ish-kryeinspektorin e IMT të Bashkisë Sarandë, Artur Musai dhe dy inspektorët Erton Zekaj dhe Besian Koçi, ndërkohë që ka ndryshuar masën e sigurisë për inspektorin e IVMT Vangjel Xhavara, nga “Arrest në burg” në “Arrest në shtëpi”.
Gjykata ka konfirmuar gjithashtu edhe masat “Arrest në shtëpi” për dy inspektorët e IKMT, Erjon Çakalli dhe Denis Balili.
Njoftimi i policisë:
Vijon operacioni policor i koduar “Mjegulla”.
Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për një tjetër punonjës të IKMT Vlorë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të operacionit policor të koduar “Mjegulla”, në kuadër të procedimit penal të regjistruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridisksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kanë ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Sarandës, më datë 20.10.2023, për shtetasin:
-M. A, 32 vjeç, me detyrë inspektor i IKMT Vlorë (përgjegjës për territorin e bashkisë Sarandë).
Ky shtetas akuzohet se ka shpërdoruar detyrën duke favorizuar dhe lejuar shtetas të ndryshëm, për të kryer ndërtime pa leje, në territorin e bashkisë Sarandë, kryesisht në zonën e Ksamilit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.