Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov sulmoi sërish Perëndimin në lidhje me luftën në Ukrainë.
“Ata po përpiqen ta kthejnë Moldavinë në një Ukrainë të dytë”, tha Lavrov gjatë një interviste televizive, teksa tha se armët që Perëndimi i ka dërguar Ukrainës kanë nisur të shiten në tregun e zi, duke përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën.
Kjo është hera e disatë që zyrtarët rusë përmendin shqiptarët, por gjithnjë akuzat e tyre kanë qenë plot me fantazi dhe pa fakte.
Lavrov tha më tej se shpreson që Perëndim të kuptojë të gjitha rreziqet që lidhen me furnizimin me armë të rënda në Ukrainë.
“Unë me të vërtetë shpresoj që përveç politikanëve që kërkojnë në mënyrë të papërgjegjshme që t’i japin Ukrainës çfarë do lloj gjëje që ajo kërkon, ka ende njerëz ushtarakë që kuptojnë se çfarë është në rrezik dhe që kuptojnë rreziqet që lidhen me të”, tha Lavrov.
Lidhur me bisedimet e ngrira të paqes me Ukrainën, kryediplomati rus tha se vetë Kievi ka nënshkruar se nuk dëshiron negociata me Rusinë, shkruan media greke.
“Ne ende nuk e kuptojmë se çfarë lloj udhëzimesh merr Zelensky nga mësuesit e tij në Uashington dhe Londër”, tha ai.
I pyetur për ofertën e Ukrainës për t’u anëtarësuar në BE, Lavrov tha: “Nuk e di nëse Ukrainës do t’i jepet një udhërrëfyes për t’u përgatitur për anëtarësim. Nëse kjo ndodh, atëherë do të thotë vetëm një gjë, se BE-ja është edhe një herë gati të mbyllë sytë ndaj të gjitha kritereve të saj që kanë ekzistuar gjithmonë për kandidatët dhe është e gatshme të udhëhiqet vetëm nga konsideratat gjeopolitike”.