Do e vriste Dumani, zbulohet ngjarja e bujshme ku është përfshirë oficeri Guçe dhe aksidenti që u mbajt i fshehtë

16 June 2022, 14:55Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Do e vriste Dumani, zbulohet ngjarja e bujshme ku është
Krenar Guçe

Fotoja e oficerit të Krimeve të Rënda, Krenar Guçe është gjetur në telefonin e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani dhe ky i fundit ka deklaruar para hetuesve se kishte marrë porosi nga Erion Alibej për ta vrarë atë.

Gjithsesi, ai nuk ka dhënë asnjë arsye se pse Erion Alibej donte ta ekzekutonte efektivin e Policisë, Krenar Guçe. Ky i fundit, para 5 ditësh është marrë në mbrojtje nga specialët e RES.

Por, cili ka qenë aktiviteti i Krenar Guçes dhe çfarë dyshohet?

Ai ka shërbyer në sektorin e vrasjeve dhe të antidrogës dhe mësohet se u rikthye në zyrën e hetimit të Krimeve të Elbasanit rreth 3 javë pas masakrës së votave në Elbasan, me një të vrarë e 4 të plagosur. Ishte Ardi Veliu që nënshkroi largimin e shefit të krimeve të kësaj drejtorie, për ta çuar në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Lezhës natën e vrasjes së Everest Çaçës, për shkak se për pak ditë Elbasani u trondit nga tri ngjarje të rënda.

Askush nuk di të thotë se në çfarë kohe e ka marrë porosinë e vrasjes së oficerit të krimeve Dumani, por në lidhje me atë fakt tronditës, Policia e Shtetit mori masa shumë vonë.

Referuar burimeve nga grupi hetimor, bëhet me dije se disa muaj më parë, oficeri i Policisë, Krenar Guçe u përfshi në një aksident të rëndë. Aksidenti ndodhi në muajin nëntor dhe punonjësi i Policisë qëndroi një kohë të gjatë në spital, një ngjarje që sërish nuk u raportua nga Policia e Shtetit dhe as nga ajo lokale, që në rastin konkret i përkiste Elbasanit.

Edhe pse nuk dihen rrethanat e atij aksidenti, SPAK e ka thirrur oficerin për ta pyetur për një sërë dyshimesh dhe faktesh, ndërkohë që ende nuk dihet se cila ka qenë kontrata që Dumani ka bërë me Alibejn.

Por, ajo që dihet është se efektivi Krenar Guçe ka arrestuar dhe ka marrë dëshminë e një tjetër të penduari të drejtësisë, falë të cilit u arrestua Erion Alibej. Bëhet fjalë për Euglen Halilin, një vrasës me pagesë, i cili ka ekzekutuar Regis Runajt dhe ka qenë vëzhgues në vrasjen e Emiliano Ramazanit.


Video