
Policia e Tiranës ka arrestuar tregtarin e hidrosanitareve, Nikolin Janina, 56-vjeç, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia spanjolle.
Janina administron një kompani për shitjen e pllakave dhe hidrosanitareve dhe është një nga biznesmenët më të njohur në vend. 56-vjeçari akuzohet nga drejtësia spanjolle si lideri i një grupi kriminal me anëtarë spanjolle dhe turq, të cilët trafikonin sasi të ndryshme heroine, morfinë dhe opium në disa shtete të europës.
Në kuadër të grupit kriminal që dyshohet se drejtohej nga Nikolin Janina, policia dhe prokuroria Spanjolle, ka sekuestruar një sasi prej 53 kg e 380 gramë heroinë.
Në vitin 2017, Prokuroria e Krimeve të Rënda vendosi sekuestro ndaj pasurive të biznesmenit Janina me vlerë rreth 4 milionë euro, por një vit më pas Gjykata e Krimeve të Rënda urdhëroi lirimin nga sekuestroja pasuritë e biznesmenit.
Nikolin Janina akuzohet nga drejtësia spanjolle për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike. Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese spanjolle, vijon procedurat për ekstradimin e biznesmenit Nikolin Janina.