
Importuesit më të mëdhenj të vajit paralajmëruan se që nga muaji qershor në vend do të fillojë të ndihen kufizimet e vajit ushqimor, për shkak të rënies të lartë të ofertës në tregjet europiane.
Pas shumë shteteve në Europë, që kanë vendosur kufizime në blerjen e vajit ushqimor nga konsumatori në supermarkete, në tregun shqiptar të parët që po vuajnë kufizimet e furnizimeve janë tregtarët e vegjël.
Bizneset e vogla të mallrave ushqimore pohojnë se nga dyqanet e shumicës nuk mund të blejnë më shumë se 15 apo 30 litra vaj luledielli (1-2 kuti), për shkak të mungesës të furnizimeve.
“Pikat e shumicës nuk të furnizojmë më shumë se 30 litra vaj, pasi edhe ato kanë mungesë furnizimesh. Shqetësim është edhe çmimi i lartë, pavarësisht se konsumatori vijon të blejë markat e vajit të lulediellit. Ndërsa për vajin me çmim më të lirë, por që është një marke e re që ka dalë së fundmi në treg, nuk ka kërkesë”, pohon Qamil Ajazi drejtuesi i një ushqimore në zonën e Freskut.
Rënia e prodhimit të farave të lulediellit në Europë dhe rritja e çmimit nisi që në 2020, ndërsa nisja e luftës Rusi-Ukrainë e thelloi edhe më shumë mungesën e prodhimit dhe shtrenjtoi çmimin. Në fillimi të muajit mars vaji i lulediellit iu shit 340 lekë/litër nga 260 që ishte në muajin shkurt. Në raport me muajin shkurt çmimi për muajin maj 2022 është 46,5% më i shtrenjtë.
Aktualisht çmimi i shitjes të vajit të lulediellit, të përcaktuar nga bordi i Transparencës është 381 lekë/litër për konsumatorin dhe 346 lekë për shitjen nga konsumatori. Për importuesit marzhi i fitimit i përcaktuar nga bordi është 35 lekë për litër dhe për tregtarët e pakicës 6 lekë për litër.