Dalin detaje të reja për kështjellën luksoze në Francë që autoritetet shqiptare dhe franceze dyshojnë se lidhet me biznesmenin Ermal Beqiraj, i arrestuar pak ditë më parë në Francë dhe në pritje të procedurave të ekstradimit drejt Shqipërisë.
Sipas raportimeve të mediave franceze, prona, e vlerësuar rreth 2.6 milionë euro, është një nga asetet që ndodhet në fokus të hetimeve për sekuestrim.
Bëhet fjalë për Château d'Auteuil, një kështjellë historike e ndodhur në Berneuil-en-Bray, në departamentin Oise, rreth 70 kilometra në veri të Parisit, shkruan Vox News.
Objekti është i regjistruar si monument historik në Francë dhe njihet për arkitekturën e tij klasike, hendekët me ujë që e rrethojnë dhe parkun e gjerë përreth.
Ajo që tërheq vëmendjen është se kështjella nuk figuron thjesht si një pronë private. Château d'Auteuil është e listuar edhe në platformën turistike Tripadvisor, ku vlerësohet nga vizitorët si një destinacion luksoz për akomodim dhe evente.
Sipas të dhënave të publikuara nga vetë struktura, kështjella ka një sipërfaqe prej rreth 1,200 metrash katrorë dhe përfshin rreth 50 dhoma, ndërsa vetëm pesë suita luksoze ofrohen për turistët, me çmime që variojnë nga 130 deri në 250 Euro për natë, por edhe më shumë.
Pjesa tjetër e ndërtesës përdoret si rezidencë dhe për organizimin e eventeve private.
Historia e saj shtrihet disa shekuj pas në kohë. Objekti u rindërtua në mesin e shekullit XIX mbi themelet e një kështjelle më të vjetër dhe që prej vitit 2003 është restauruar duke u kthyer në një destinacion të njohur turistik, pa humbur statusin e monumentit historik.
Emri i kësaj prone u bë publik pasi mediat franceze raportuan se autoritetet shqiptare kanë identifikuar në Francë një rezidencë luksoze që dyshohet se lidhet me Ermal Beqirajn, ndërsa paralelisht kanë nisur procedurat për sekuestrimin e pasurive që dyshohet se kanë origjinë kriminale.
Sipas SPAK, përveç kësaj prone, në hetim janë edhe llogari bankare, apartamente, automjete dhe një avion turistik.
Beqiraj ndodhet aktualisht në paraburgim në Francë, pasi u arrestua pas një fluturimi me një avion privat tip kacatorr, mbi centralin bërthamor Penly, ndërsa ndaj tij autoritetet shqiptare kanë kërkuar ekstradimin në kuadër të hetimeve për dosjen e tenderëve të AKSHI-t.