Ashtu siç e paralajmëroi VoxNews, Parlamenti i Shqipërisë pritet të zhvillojë më 27 korrik një seancë ku në qendër të diskutimeve do të jetë marrëveshja me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për blerjen e pajisjeve ushtarake.
Sipas burimeve të VoxNews, marrëveshja arrin me një vlerë prej 300 milionë euro.
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për t’i propozuar Kuvendit ratifikimin e marrëveshjes së huas direkte ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Vendimi mban datën 24 korrik 2026 dhe parashikon shqyrtimin e projektligjit me procedurë të përshpejtuar në Kuvend.
Kjo blerje synon të rrisë shpenzimet e mbrojtjes së Shqipërisë në nivelin 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, në përputhje me objektivin e NATO-s për vendet anëtare.
Arritja e këtij pragu konsiderohet një hap i rëndësishëm për të shmangur çdo rezervë që mund të ndikojë në organizimin e samitit të NATO-s në Tiranë.
Më herët, administrata amerikane dhe presidenti Donald Trump kishin shprehur rezerva për faktin se Shqipëria shpenzonte rreth 1.6% të PBB-së për mbrojtjen, nën objektivin e Aleancës.
Projektligji i hartuar për ratifikimin e marrëveshjes përcakton se ajo do të bëhet pjesë përbërëse e ligjit pas miratimit në Kuvend dhe se ligji hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016