Qeveria ka konfiskuar pas një beteje që ka zgjatur më shumë se 12 vite godinën 9 katëshe në qendër të Fierit, e ndërtuar nga ish-deputeti i Partisë Demokratike Astrit Veliaj. Me një vendim të beftë të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, kryeministri Edi Rama ka vendosur emrin, firmën dhe vulën për konfiskimin e godinës së UFO-s, e ndërtuar fillimisht për universitet, por që më vonë nuk shërbeu.
Vendimi shkruan se godina është ndërtuar pa asnjë leje ndërtimi, teksa për çështjen në fjalë ka pasur procedime penale, vendime gjyqësore dhe vendime administrative, ku është faktuar se Bashkia e Fierit nuk ka dhënë asnjë leje për kompaninë e ish-deputetit. Aktualisht, godina është pa asnjë shërbim, teksa pas këtij vendimi pritet që në ato ambiente të “strehohen” disa institucione shtetërore.

Sipas dokumenteve që ka hulumtuar Vox News, KKTU-ka ka marrë vendimin për konfiskimin në mbledhjen e datës 25 shtator 2025, ndërkohë që dokumentet janë plotësuar dhe është vendosur definitivisht për konfisikimin vetëm në datën 10 korrik 2026. Ky këshill ka vendosur konfiskimin në bazë të disa ligjeve dhe të një vendimi të datës 18 qershor 2025 të Komisionit të Objekteve të Konfiskuara.
“Me propozim të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, vendosi konfiskimin për interes publik të objektit të ndërtuar pa leje ndërtimi me qëllim fitimi ‘Objekt 9 kate + 4 kate + 2 kate nëntokë’, me vendndodhje në Bashkinë Fier, me subjekt zhvillues shoqërinë ‘Ufo’ sh.p.k” thuhet në dokumente.

Në vendimin e qeverisë shkruhet se një hartë e planvendosjes së strukturave i bashkëlidhet këtij vendimi si pjesë përbërëse e tij. “Autoriteti përfitues i konfiskimit ose subjekti zhvillues, sipas rastit, aplikon nëpërmjet sistemit e-leje, pranë Sekretariatit Teknik të KKTU-së, për miratimin e lejes përkatëse. Pas miratimit të lejes përkatëse, Agjencia e Zhvillimit të Territorit të lëshojë certifikatën e përdorimit, në përputhje me këtë vendim dhe planvendosjen bashkëlidhur” thuhet në dokumente.
Vox News ka mësuar se ndaj ish deputetit të Partisë Demokratike, Astrit Veliaj, ka pasur një hetim të hapur në vitin 2014 nga Prokuroria e Fierit dhe më vonë nga Prokuroria e Përgjithshme, për shkak se në atë kohë ka pasur imunitet. Hetimi erdhi për shkak se disa qytetarë të Fierit kanë bërë kallëzim penal. Mësohet se godina madhështore e Universitetit UFO ka nisur të ndërtohet në qytetin e Fierit në vjeshtën e vitit 2012.
Hetimi i 12 viteve më parë konsistonte se kjo strukturë kishte nisur të ngrihej pa pasur lejet përkatëse për ndërtim. Godina ngjan me Shtëpinë e Bardhë në SHBA dhe ku në anë të shkallëve janë dy shtatore disa metra të larta. Në një kohë rekord kjo strukturë komplekse me mjaft salla e auditore priti studentët në vitin akademik 2013-2014. Godina është ndërtuar në ambientet ku dikur ndodhej Komisariati dhe Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit, që tashmë janë transferuar në periferi.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016