Tiranë – Durrës si tenderët e Unazës/ Karakaçi dhe Kozeli “kopjojnë” Ballukun – Berberin, shtesë 1.5 mln Euro për fazën e dytë!

29 Korrik 2026, 14:59Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Enea Karakaçi dhe Ami Kozeli

Tenderët e ndërtimit të Unazës së Madhe të Tiranës vunë nën hetim ish-ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe dy drejtorët e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi dhe Gentian Gjyli. Këta persona janë nën akuzë zyrtare nga Prokuroria e Posaçme, për favorizim të firmave, shpërdorim detyre, ndërkohë që po verifikohet nëse akuzat janë pjesë e grupit kriminal.

Koha kaloi dhe pa kaluar afera e Unazës së Madhe, një tjetër aferë po gatuhet brenda Autoritetit Rrugor Shqiptar, ku drejtuesit aktuale po veprojnë me të njëjtën skemë për tenderat e rrugëve, duke kopjuar shifra, duke skualifikuar kompani e madje duke bërë shtesa kontrate për segmente që duhet të ishin përfunduar.

Vox News ka analizuar dokumente të reja dhe të vjetra, të dala nga ARRSH-ja, tashmë e drejtuar nga Ami Kozeli, të cilat hedhin dritë se ky drejtues ka firmosur një shtesë të majme kontrate për fazën e dytë, e cila duhet të kishte përfunduar dhe duhet të ishte dorëzuar me “çelësa në dorë” te shteti. Por, në vend që të merreshin masa, të mbahej garancia, drejtuesit e ARRSH-së, madje edhe vetë ministri i ri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, vijojnë të “bekojnë” firmat.

Tiranë – Durrës si tenderët e Unazës/ Karakaçi
Faksimile: Njoftimi i ARRSH për shtesën e kontratës në fazën e II-të, e cila është “përuruar” disa herë

Duke qenë se Enea Karakaçi dhe Ami Kozeli janë dy bashkëpunëtorët e ngushtë të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, ata po veprojnë njëjtë si “shefja”, duke firmosur dokumente me sy mbyllur, teksa me këto veprime janë në të njëjtën fazë me paraardhësit e tyre, duke i thënë “burgut hapu”.

Sipas dokumenteve që disponon Vox News, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë një njoftim në datën 24 korrik 2026 se ka bërë modifikimin e kontratës për fazën e dytë. “Objekti i procedurës së prokurimit është modifikim kontrate (vlera shtesë), ‘zgjerimi i superstradës Tiranë-Durrës, faza II” thuhet në dokument. Sipas saj fondi i akorduar është 145,253,295 lekë, ose 1.549.008 euro.

Nëse do të krahasojmë tenderët e Unazës së Madhe me këto të zgjerimit të Tiranë – Durrës, ngjasojnë si dy pika uji, madje me të njëjtat vlera apo edhe me faza, ku për Unazën janë marrë të pandehur ish-drejtuesit e ministrisë dhe ARRSH-së, ndërkohë që aktualisht dyshja Kozeli – Karakaçi veprojnë në mënyrë të hapur.

Tiranë – Durrës si tenderët e Unazës/ Karakaçi
Faksimile: Tenderi i fazës së II-të të zgjerimit Tiranë – Durrës, i fituar nga një bashkim operatorësh me në krye Elmazaj

Vox News shfletoi edhe dokumentet e vitit 2024, ku rezulton se shteti shqiptar ka shpenzuar një shumë prej rretyh 19 milionë euro vetëm për ndërtimin e fazës së dytë të zgjerimit të autostratës Tiranë – Durrës. Në dokumente mësohet se vlera e tenderit ka qenë 1,786,939,479 lekë dhe me kursin e sotëm të euros shuma shkon në 19 mln.

Në të njëjta dokumente detajohet se fitues ka dalë një bashkim operatorësh ekonomikë, “ELMAZAJ KONSTRUKSION”, “NDERTIMI” dhe “NDREGJONI”, të drejtuar nga ELMAZAJ. Kompanitë e tjera që morën pjesë në atë kohë u skualifikuan të gjitha, duke ngritur hije të mëdha dyshimi se e gjithë procedura ka qenë e paracaktuar.

Por nëse do skualifikosh të gjitha kompanitë dhe kësaj kompanie që fitoi duke marrë pothuajse të gjithë fondin limit t’i japësh një shtesë kontrate, a mos vallë kemi të bëjmë me favorizime dhe shkelje të shumta? Çfarë ndryshimi ka kjo procedurë nga tenderat e Unazës së Madhe ku janë nën akuzë Balluku, Berberi e Gjyli? Nëse në atë kohë telefoni i Berberit kishte “thesare”, kësaj herë prokuroria vetëm të gjurmojë paratë pasi do të çojnë te “burimi”.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016



Video