Me njërën dorë ta jep, me tjetrën ta heq - Skema e Jonaid Myzyrit  me tenderin për gjeodezinë, fitues oferta më e lartë!

30 Korrik 2026, 22:17Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Jonaid Myzyri

Administratori i Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, Jonaid Myzyri, ka gjetur një skemë sesi të shpallë fitues ofertat më të larta në tenderat që realizon ky Operator, duke kthyer metodat e famshme gjatë kohës që drejtonte Komisionin e Prokurimit Publik. Në fakt, me manovra tepër të dyshimta, ai arrin që fillimisht të shpallë fitues ofertën më të ulët, ndërkohë që pa pritur ankimet në KPP apo më tej në gjykatë, ai arrin që të ndryshojë fituesin, duke shpallur kështu ofertën më të lartë.

Me këtë skemë, Myzyri arrin që të dalë i pa lagur nga akuzat e mediave apo të institucioneve shtetërore, pasi në APP ai arrin që të ngarkojë fillimisht njoftimin se “fitues doli oferta më e ulët”. Më pas, me manovra të fshehta dhe nën rrogoz, siç di vetëm Myzyri, fituesi ndryshohet dhe çuditërisht “del oferta më e lartë”. Pra, me njërën dorë ta jep tenderin dhe me tjetrën ta heq, ndërkohë që nuk dihet nëse dora që të heq tenderin përdoret për ndonjë manovër tjetër.

Skema është tepër e qartë, madje meriton një hetim dhe verifikim të mëtejshëm nga organet e tjera ligjzbatuese, pasi në këtë mënyrë kemi të bëjmë me dy dëme të mëdha, nga njëra anë dëmi në buxhetin e shtetit dhe nga ana tjetër dëmi ndaj kompanisë që ofroi më pak dhe doli humbëse, kur në fakt duhet të ishte e kundërta. Nëse më parë hetimet për tenderat kanë pasur fakte më të lehta, tashmë në këto radhë redaksia e Vox News do të rendisë një dosje të mirëfilltë, ku vendimet tepër të dyshimta të Myzyrit apo vartësve të tij, kanë sjellë përmbysjen e rezultatit, me arsyetime tepër banale dhe qesharake.

Me njërën dorë ta jep, me tjetrën ta heq - Skema e Jonaid
Faksimile: Njoftimi i fituesit të tenderit për ndërtimin e kornizës referuese gjeodezike

Disa ditë më parë, Operatori i Blerjeve të Përqendruara, nxori një njoftim për shpalljen e fituesit të tenderit me objekt “ndërtim i pjesshëm i kornizës referuese gjeodezike, faza VI”. Vlera e tenderit ishte 28 milionë lekë ndërkohë që fitues doli kompania “Alb Matrix Group”, e cila ofroi 21.980.000 lekë. Dukshëm më pak sesa fondi limit, teksa në garë ishin edhe dy kompani “Gjeokonsult” me vlerë 25.8 milionë lekë dhe Land & Co, me vlerë rreth 27 milionë lekë.

Në këtë dokument, i shpallur edhe në APP, Myzyri apo vartësit kualifikuan ofertën e parë dhe të tretë, teksa nisur edhe nga vlera, fitues doli kompania që kishte ofruar më pak, “Alb Matrix”. Por këtu fillon skema e famshme e vetë Myzyrit, i cili me manovra që vetëm ai i di, arrin që të përmbysë rezultatin.

Me njërën dorë ta jep, me tjetrën ta heq - Skema e Jonaid
Faksimile: Vendimi i OBP për skualifikimin e firmës “Alb Matrix” me një arsyetim qesharak; ka bërë punë të ngjashme ...

Sipas dokumentit që disponon Vox News, Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka filluar më pas operacionin “gërshëra”, ku ka pranuar të gjithë ankimin e firmës që ofroi më shumë në tender. Me një vendim skandaloz dhe që meriton një hetim të mirëfilltë, grupi i Myzyrit në OBP ka vendosur të skualifikojë firmën “Alb Matrix” me arsyetimin se s’ka punë të ngjashme, kur vetë ky operator i kishte pranuar “punët e ngjashme”.

Madje, në vendimin e skualifikimit shkruan se “kontratat e paraqitura nga operatori ekonomik ‘Alb Matrix Group’ i përkasin të njëjtit sektor të përgjithshëm profesional të gjeodezisë, por nuk mund të konsiderohen si kontrata të ngjashme në objektin konkret të prokurimit”.

Arsyetim skandaloz dhe totalisht i denjë për një dosje në prokurori, pasi vetë grupi i Myzyrit në OBP shkruan se mungesa e eksperiencës së dokumentuar në gravimetri dhe gjeodezi fizike, përbën një tregues objektiv se kontratat e paraqitura nuk dëshmojnë realizimin e shërbimeve me natyrë, metodologji dhe kompleksitet teknik të krahasueshëm me ato që kërkohen nga kontrata objekt prokurimi.

Besojmë se as vetë ata që i kanë shkruar këto radhë nuk i kanë lexuar për së dyti, apo më keq akoma, ti kenë kuptuar se çfarë kanë shkruar, pasi vetë përmendin se firma në fjalë ka paraqitur kontrata. Duket se, Myzyri do të vijojë punët e pambaruara në KPP, duke e kthyer edhe Operatorin e Blerjeve të Përqendruara, për të cilin mburret edhe vetë kryeministri Edi Rama, në një qokë për vetë dhe “oborrin” e tij, ata të cilët e kanë vendosur në atë pozicion apo ata të cilët e mbrojtën edhe nga Prokuroria e Posaçme. Por, me këto veprime, duket se nuk do ta ketë të gjatë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016



Video