Teherani ka reaguar për sanksionet e shpallura një ditë më parë nga Washingtoni ndaj Ministrisë iraniane të Inteligjencës dhe Sigurisë Kombëtare dhe ministrit të saj Esmail Khatibi për përfshirje në aktivitete kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre, duke përmendur mes këtyre aktiviteteve, sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Nasser Kanaani ka dënuar me forcë këtë vendim të Uashingtonit dhe i ka konsideruar akuzat e qeverisë shqiptare si false dhe të pa provuara.
Sipas tij, projektuesi i këtij skenari nuk është qeveria shqiptare por qeveria amerikane dhe Tirana është viktimë e skenarit të Uashingtonit
“Mbështetja e menjëhershme e SHBA-së për akuzën false të qeverisë shqiptare kundër Republikës Islamike të Iranit dhe veprimet e shpejta të Uashingtonit për të sanksionuar Ministrinë e Inteligjencës të Iranit duke iu drejtuar të njëjtës akuzë false dhe të paprovuar tregon qartë se projektuesi i këtij skenari nuk është qeveria shqiptare por qeveria amerikane dhe Tirana është viktimë e skenarit të Uashingtonit kundër Republikës Islamike të Iranit”, është shprehur zëdhënësi.
Ai shtoi se për vite të tëra Shtetet e Bashkuara kanë detyruar qeverinë dhe kombin e Shqipërisë që të mbajnë një grupi terrorist që i kanë trajnuar dhe pajisur ata në fushën kibernetike.
“Strehimi i i grupit terrorist nga qeveria shqiptare dhe veprimi i qeverisë amerikane në mbështetje të atyre që janë përgjegjës për vrasjen e më shumë se 17 mijë shtetarëve dhe qytetarëve iranianë është një shembull i qartë për mbështetjen e organizuar të terroristëve kundër qeverisë dhe popullit të Iranit”. Republika Islamike e Iranit do të përdorë të gjitha aftësitë e saj brenda kornizës së ligjit ndërkombëtar për të mbrojtur të drejtat e popullit iranian dhe për të mbrojtur veten kundër këtyre komploteve të liga”, nënvizoi Kan’ani.
Pak ditë më parë ai cilësoi të pa mend vendimin e Shqipërisë për të ndërprerë raportet diplomatike më Shqipërinë.