Atentati në Kurbin/ Hoxha: Autorët ishin përgatitur, nëse do hasnin në rezistencë do të kundërpërgjigjeshin

12 Shkurt 2024, 23:56Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Atentati në Kurbin

Gazetari Artan Hoxha ka treguar të gjithë kronologjinë e atentatit të ndodhur mëngjesin e të shtunës në Kurbin ku mbeti viktimë ekonomisti i një firme inertesh dhe u plagos pronari i saj Ardian Gjeloshi.

Ai tha se ngjarja është e organizuar dhe për policinë ka qenë e vështirë për të dhënë një konkluzion lidhur me pistën dhe autorët. Sipas tij autorët kanë përdorur kallashnikov për këtë vrasje, ndërsa theksoi se ata ishin përgatitur dhe nëse do hasnin në rezistencë do të kundërpërgjigjeshin.

“Është një ngjarje që zona e Kurbinit që nga ngjarjet e gusht 2022 që kulmuan me zhdukjen e Ervis Martinajt ku dukej se kishte rënë qetësi. Ngjarja e të shtunës ishte e rëndë jo thjesht për objektivin, por dhe mënyrën se si e kanë organizuar ngjarjen. Autorët pas ngjarjes kanë djegur dy automjete, kjo do të thotë që janë paguar shumë para. Vrasjet me Range Rover i përdorja si batutë që ndodhin në Fier mesa duket këto ngjarje që përdorin mjete të tilla autorët i blejnë dhe pse janë mjete të vjedhura dhe ka të paktën më shumë se një vit që në statistikat e grabitjeve të makinave është rritur në masë grabitja e makinave Range Rover ajo është e kushtueshme.

Në zonën e Durrësit sidomos në zonat turistike janë grabitur shumë. Vrasësit aty nuk kanë qenë vrasës të zakonshëm. Ardian Gjeloshi ishte personazh që ruhej fort, lëvizte i armatosur i ruajtur dhe kjo ka bërë që autorët të shohin mundësinë si ta godasin që ai të mos ketë mundësi të kundërveprojë. Është parë momenti më i rëndësishëm për ta goditur atë. Ai dilte nga banesa dhe shkonte te firma e inerteve me makinë të blinduar, ai ka lëvizur vetëm me ekonomistin dhe nga vendi i ngjarjes duket qartë që është goditur në zyrë pasi ka dalë nga mjeti. Ai është goditur nga të dyja anët e zyrës dhe të shtënat i kanë marrë jetën ekonomistit 70 vjeçar.

Arma që ata kanë përdorur, Ardian Gjeloshi është një njeri që mund të reagojë se rri i armatosur dhe për të mos i dhënë mundësi reagimi kanë përdorur kallashnikov dhe pse është thënë se viktima është përpjekur të mbulojë me trup Gjeloshin. Fati i Gjeloshit është se ai është trajtuar tek Trauma dhe është jashtë rrezikut për jetën dhe deri tani është parë se autorët kanë lëvizur me veshje të ngjashme me ato të ndërhyrjes së shpejtë, me fenolina. Ata kanë vepruar në mëngjes kanë gjetur momentin. Në këtë zonë në 5 ngjarjet e fundit, autorët kanë vepruar me të njëjtën taktikë, veshje, fenolina dhe deri tani rezulton se ata dyshohet se mund të kenë ndjekur lëvizjet e objektivit të tyre dhe me dron.

Nga mënyra e organizmit të ngjarjes tregon se autorët kanë qenë të vendosur për ta realizuar. Mendohet se kanë qenë 5 persona, por akoma është në hetim e sipër. Megjithatë pista kryesore që është deri tani është për vrasje me pagese. Vrasjet e këtij tipi që janë tipike vrasje mafioze janë të vështira dhe për t’u zbuluar. Autorët ishin përgatitur dhe nëse do hasnin në rezistencë do të kundërpërgjigjeshin. Gjeloshi është një personazh i njohur në atë zonë”, tha Artan Hoxha në emisionin Të Paekspozuarit.

Video