10 mijë paund vetëm për përkthyesit! Një shpenzim i madh parash nga britanikët për të vënë pas hekurave 24-vjeçarin shqiptar

12 Shkurt 2024, 21:42Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Martin Ndreca,

10 mijë paund vetëm për përkthyes. Një shifër e lartë për të vënë pas hekurave një shqiptar që akuzohet për shpërndarje kokaine. Daily Mail shkruan se Martin Ndreca, 24 vjeç, pranoi fajësinë për trafik kokaine javën e kaluar, por kjo erdhi vetëm pasi autoritetet britanike shpenzuan një fond të madh publik vetëm për të përkthyer mijëra tekstet e mesazheve të tij.

Pavarësisht këshillës nga ekipi i tij mbrojtës, Ndreca e kishte injoruar atë dhe refuzoi që të “ballafaqohej” me situatën ku gjendej. Pavarësisht se Ndreca ka pranuar fajësinë, sërish refuzon që të pranojë të gjithë fajësinë e tij në veprat penale, që do të thotë se do të ketë akoma para publike që do të shpenzohen në gjyqin e tij në maj, para se të dënohet.

“Ka pasur shpenzim të jashtëzakonshëm për parave publike sepse një i pandehur nuk përballet me situatën e tij”, tha gjyqtari Ian Lawrie.

Prokurori Daniel White tha se Ndreca tashmë pranon shumicën dërrmuese të çështjes së ngritur. Por sipas të njëjtit, Ndreca ka paraqitur pranimin duke kundërshtuar çështjen e prokurorisë për nivelin e përfshirjes së tij në bandën e drogës ku punonte. White u shpreh se gjykata nuk mund të pranojë pretendimet e shqiptarit se kishte një rol të ulët. Për këtë pritet që shqiptari të dalë në një gjyq tjetër ku gjyqtari do të dëgjojë provat për të vendosur nivelin e përfshirjes së tij.

“Për shkak të mënyrës se si Ndreca është sjellë në këtë rast, një shumë madhe parash është harxhuar. Mbi 10 mijë Paund pagesa për përkthyes shqiptarë që kanë parë mijëra tekstet e tij të mesazhe”, tha prokurori.

Sipas shifrave që publikon Daily Mail, shuma e parave e taksapaguesve britanikë që përdoret për të siguruar përkthyes shqiptarë për kriminelët e dyshuar është dyfishuar gjatë 5 viteve të fundit.

Ministria e Drejtësisë zbuloi se 1.2 milionë Paund u harxhuan në vitin 2022 për të siguruar staf që të komunikonin me shqiptarët e akuzuar për krime në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo është një rritje me 35% nga viti më parë dhe dyfishi i regjistruar 6 vite më parë ku u dhanë rreth 500 mijë paund.

Video