Gjykata e Sarandës ka caktuar këtë të martë masën e sigurisë “arrest me burg” për Armando Hakon dhe Enrik Prodën ndërkohë që ka lënë të lirë babanë e këtij të fundit Sinan Proda.
Ata akuzohen se mbrëmjen e 12 shtatorit, në bashkëpunim me njëri tjetrin, u futën të maskuar dhe me armë te bar restorant “Sunset” në lagjen nr.4 dhe kanë qëlluar me sende të forta 42-vjeçarin Elidon Kushova, teksa në lokal ka pasur dhe klientë të tjerë. Kushova ka qenë duke darkuar me familjen kur e qëlluan.
Pas ngjarjes ata janë larguar me shpejtësi me një mjet tip “Ford” me targa italiane, por pas disa ditësh janë identifikuar dhe vënë në pranga nga uniformat blu. Ata konsiderohen nga policia si persona me rrezikshmëri të lartë.
Sipas informacioneve nga policia, në dhunimin e 42-vjeçarit ka marrë pjesë Enrik Proda dhe Armando Hako. Ndërsa Sinan Proda, babai i Enrikut akuzohet se ka ndërruar targën e mjetit dhe e ka fshehur. Ngjarja dyshohet për prishje pazaresh mes Prodës Hakos dhe Kushovës.
Sinan Proda, ish shofer i SHIK Sarandë, në vitin 2010 në Tiranë ka vrarë me thikë fqinjin e tij te “Komuna e Parisit” të quajtur Dritan Selimi.
Ndërsa, Armando Hako rezulton i dënuar më parë për vjedhje me armë të një automjeti, ngjarje e ndodhur në 5 gusht 2013 në fshatin Nivicë të Sarandës, ku në bashkëpunim me Lulëzim Tabakun i vodhën me kallashnikov makinën Thanas Mungulit për larje hesapesh.