Apeli cakton masat për "spiunët" e Gramshit, ukrainasi përlotet në gjykatë: Rusët më lanë sakat vëllanë

20 September 2022, 16:42Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Apeli cakton masat për "spiunët" e Gramshit, ukrainasi
Të arrestuarit

Gjykata e Apelit të Durrësit ka vendosur ditën e sotme masën e sigurisë "arrest me burg" për dy rusët Mikhail Zorin e Zvetlana Timofeeva, si dhe për ukrainasin Fedis Alpatov që tentuan të hynin në uzinën e armëve në Gramsh.

Ata apeluan masën e vendosur nga Gjykata e Elbasanit, e cila më 24 gusht caktoi arrest në qeli për tre të huajt, duke kërkuar një masë më të lehtë, por kjo nuk është pranuar nga Apeli i Durrësit.

Ata u arrestuan pas incidentit në Uzinën e demontimit të armëve në Gramsh teksa tenduan të fotografojnë objektin ushtarak. Në përgjigje të thirrjeve të ushtarëve rojë për të ndaluar, rusi Zorin sulmoi me spraj kimik dy ushtarët shqiptarë duke i dëmtuar në fytyrë.

Gjatë seancës së sotme, mësohet se ukrainasi, Fedis Albatovdhe është përlotur para trupit gjykues. Ai pretendon se nuk ka qenë kurrë në Rusi dhe se këtë shtet e konsideron si armik për shkak të luftës në Ukrainë. Po ashtu ai ka rrëfyer se nga bombardimet ruse në Ukrainë vëllai i tij ka mbetur sakat.

Pas seancës, Avokati i shtetasit Ukrainas, Saimir Vishaj tha se të tre të huajt duhet të ishin lënë të lirë, pasi nuk ka fakte për kriminalitet, ndërsa sipas tij, vetë Prokuroria e Elbasanit do e pushojë çështjen.

“Ishte një debat shumë i madh ndërmjet mbrojtjes dhe gjyqtarit. Përpara një vendimi ku nuk ka fakt kriminal. Te tre duhet të ishin të lirë sot, asnjë nga vendet e botës nuk është marrë me studentë që janë blogerë. Do i drejtohemi Gjykatës së lartë me rekurs, e vetmja e drejtë që na u dha sot pas një maratone 2 orë e gjysmë. Prokuroria ka ndryshuar qëndrim, duke i konsideruar të pafajshëm përderisa nuk ka një vendim të formës së prerë, askush nuk mund të thotë për spiunazh. Mendoj se do të jetë prokuroria e Elbasanit që do ta pushojë këtë çështje herët ose vonë. Prova nuk ka për fakte kriminale”, u shpreh avokati Vishaj.


Video