Gjykata e Lartë drejt ndryshimit të praktikës për arrestet dhe masat e sigurimit

10 Mars 2026, 11:57Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka nisur procedurën për ndryshimin e pjesshëm të praktikës së njësuar të Kolegjeve të Bashkuara, lidhur me Vendimin Unifikues nr. 7, datë 14.10.2011, mbi masat e sigurimit personal.

Sipas njoftimit zyrtar, qëllimi i kësaj nisme është sigurimi i një praktike gjyqësore më të njëtrajtshme dhe në përputhje me standardet kushtetuese, ligjore dhe ato të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, veçanërisht sa i përket kufizimit të lirisë personale.

Ky hap shënon gjithashtu ushtrimin për herë të parë të kompetencës së Kryetarit të Gjykatës së Lartë, sipas nenit 438 të Kodit të Procedurës Penale, për të kërkuar ndryshimin e pjesshëm të një praktike të njësuar të Kolegjeve të Bashkuara.

Seanca publike për shqyrtimin e çështjes është caktuar të zhvillohet më 9 prill 2026, ora 09:30, në ambientet e Gjykatës së Lartë.

Ky vendim pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm në praktikën gjyqësore në fushën penale në Shqipëri, duke ofruar udhëzime të qarta për gjykatat në interpretimin dhe zbatimin e masave të sigurimit personal.

Dokumenta bashkëngjitur


Video