Kërkoi përjashtimin e Irena Gjokës, GJKKO rrëzon sërish kërkesën e Fatmir Mediut

10 Mars 2026, 10:22Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Fatmir Mediu

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) u zhvillua këtë të martë seanca e radhës për dosjen e shpërthimit në Gërdec, ku i pandehur është ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i akuzuar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

Seanca u zhvillua përballë gjyqtares Irena Gjoka dhe prokurorit të posaçëm Arben Kraja. Gjatë seancës, avokati mbrojtës i Mediut, Henrik Ligori, paraqiti disa parashtrime në mbrojtje të klientit të tij, duke kundërshtuar akuzat e ngritura nga Prokuroria.

Sipas Ligorit, Ministria e Mbrojtjes është një strukturë me dy nivele drejtimi: një pjesë politike dhe një pjesë teknike që përfaqësohet nga Shtabi i Përgjithshëm. Ai theksoi se përgjegjësitë teknike që lidhen me çështje si kalibrat e municioneve apo proceset e transportit nuk mund t’i atribuohen ministrit politik.

“Ministria e Mbrojtjes është një strukturë me dy krerë, pjesa politike dhe Shtabi i Përgjithshëm. Personat që kanë pasur përgjegjësi për Gërdecin kanë marrë përgjegjësi. Nuk ekziston asnjë akt ligjor që ndan municionet në kalibër të madh apo të vogël. Ministri i Mbrojtjes përgjigjet për politikat e ministrisë dhe nuk mund të akuzohet se nuk njeh kalibrat. Këto janë çështje që i përkasin Shtabit të Përgjithshëm”, deklaroi Ligori në gjykatë.

Ai shtoi gjithashtu se edhe çështjet që lidhen me transportin dhe faturat nuk janë në kompetencë të ministrit, pasi për këto procese ekzistojnë struktura të posaçme brenda ministrisë. Sipas mbrojtjes, akuza e ngritur nga prokuroria është e pabazuar.

Gjatë seancës, gjyqtarja Irena Gjoka lexoi gjithashtu vendimin mbi kërkesën e avokatëve mbrojtës për përjashtimin e saj nga gjykimi i çështjes. Gjoka bëri me dije se kërkesa është rrëzuar.

“Pasi u mor në shqyrtim, është vendosur papajtueshmëri mbi kërkesën e mbrojtjes. Mosrespektimi i afatit ka sjellë edhe papajtueshmërinë e kërkesës së avokatëve”, deklaroi ajo.

 


Video