GJKKO ka dënuar dy prej të arrestuarve në kuadër të operacionit "Shpirti", për goditjen e trafikut të drogës.
Jovan Memaj u dënua në total me 8 vite burg për akuzat kultivim i lëndëve narkotike, trafikim narkotikësh, grupi i strukturuar kriminal dhe pastrim i produkteve kriminale.
Ndërsa Bernard Tahiraj u dënua me 2 vite burg për “trafikim i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Operacioni “Shpirti” u zhvillua në korrik 2021, ku u goditën disa grupe kriminale. Hetimi i autoriteteve italiane për 5 vite me radhë çoi në pranga 38 persona në total, mes të cilëve edhe punonjës policie dhe 2 shoqëruesit e Saimir Tahirit, Agustin Deda dhe Hekuran Marku.
Në atë kohë u sekuestruan 4 milionë euro pasuri. Sipas dosjes së SPAK anëtarët e këtij grupi akuzohen se në bashkëpunim me 4 italianë dhe një shqiptar të njohur si Eltjon Bregu kanë trafikuar rreth 1 ton kanabis drejt Italisë.
Gjykimi i të pandehurve ka vijuar i ndarë për shkak se disa kanë pranuar gjykim të zakonshëm dhe për disa të tjerë është pushuar. Në 2023 Gjykata e Posaçme dha në total 150 vite burg për 15 persona të akuzuar si anëtarë të këtij grupi.