Gazetarja Klodiana Lala ka thënë gjatë emisionit “Opinion” se SPAK ka nën hetim disa dosje në të cilat mund të arrestohen zyrtarë të lartë dhe politikanë.
Gazetarja foli për koncesionin e sterilizimit ku paralajmëroi që SPAK do të shkojë drejt arrestimeve të mundshme.
“Kemi koncesionin e sterilizimit. Mendoj që SPAK do të shkojë drejt arrestimeve të mundshme. Për këtë që them, po ju flas me një siguri të plotë, bëhet fjalë për një aferë korruptive e cila është duke u hetuar dhe ndryshe nga aferat e tjera nuk është hetuar nga lart poshtë, por është hetuar duke u marrë në pyetje nga pastruesja e spitalit deri në nivelet më të larta”, u shpreh gazetarja.
Dosjet e tjera në SPAK sipas gazetares janë ai për check up, por edhe tenderat në Ministrinë e Brendshme.
“Kemi më pas dhe check-upin i cili është një tjetër koncesion në shëndetësi që është duke u hetuar. Ka patur disa tendera të Ministrisë së Brendshme, për shembull kemi ish-drejtoreshën e Blerjeve të Përqendruara të dënuar, por janë ndarë edhe disa fraksione të tjera. Zoti Ndreca ka qenë sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë, janë disa hetime që janë veçuar, janë aktualisht pa emra në hetim, por mund të prekin nivele të larta. Më pas pjesa tjetër ka të bëjë me përgjime”.
Ndërkohë në fund, ajo tha se një zyrtar i lartë ka dalë në përgjimet e grupeve kriminale në Shkodër dhe mbante pseudonimi “Matematiku”.
“Kohët e fundit jam habitur me këtë fakt dhe këtë duhet ta konfirmoj më vonë, por me një grup kriminal në Shkodër njëri nga zyrtarët e lartë që përmendet mbante një nofkë shumë interesante, “Matematiku”, nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë. Nuk e di kush është personi, zyrtari i lartë që flitet në këtë grup. Mendoja që e njihja shumë mirë SPAK-un, por kur ma dhanë këtë informacion… Del në përgjimet e dy grupeve kriminale. Brenda SPAK-ut ka aq shumë dosje që mund të prekin politikën”, tha Lala.