Dënimi me burg për katër dritare pa leje, Ulsi Manja takon Bojken Lako pas kritikave të Ramës

11 April 2022, 18:22Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Dënimi me burg për katër dritare pa leje, Ulsi Manja takon Bojken
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja dhe këngëtari Bojken Lako

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka pritur sot në zyrën e tij, muzikantin Boiken Lako, i cili u dënua pasi hapi katër dritare në një ndërtesë, të cilën do e kthente studion e tij muzikore.

Manja thotë se atë që ka ndodhur nuk mund ta kthejnë pas, por mund të bëjnë që shërbimi i Lakos ndaj komunitetit të mos shihet si provë, por si kontribut.

Sipas Manjës, ata kanë rënë dakord për një projekt mjaft interesant, që do të vihet në skenë.

“Nuk mund të kthejmë pas çka ndodhur, por mund të bëjmë që shërbimi i Bojkenit ndaj komunitetit të mos shihet si provë, por si kontribut, ashtu si ai ka ditur gjithmonë ta japë. E pse jo, të jetë shembulli i parë i një qasjeje dhe vizioni të ri që kemi për Shërbimin e Provës dhe në këtë panoramë të re, së bashku me Bojkenin, biseduam dhe dakorduam për një projekt mjaft interesant, të cilin e pres me padurim të vihet në jetë”, tha ministri Manja.

 

Takimi i ministrit të Drejtësisë vjen pasi kryeministri Edi Rama gjatë kongresit të PS ku kritikoi drejtësinë, ndërsa tha se dënohet Bojken Lako për 3 dritare dhe mbrohet një pallat pa leje në breg të detit

“Dënohet një këngëtar se hap një apo dy dritare, ndërkohë që strukturat shtetërore presin prej muajsh që gjykata apo gjykatësit të mos marrin në mbrojtje një pallat pa lejë në breg të detit. Duhet të durojmë. Në raport me sensin moral dhe logjik të drejtësisë në këtë vend ato janë skandale”, tha Rama.

Boiken Lako u dënua nga Gjykata e Tiranës me tre vite burg, të cilat janë konvertuar në shërbim prove. Po ashtu, ka marrë një gjobë prej 500 mijë lekësh (të vjetra) nga IKMT. Gjithçka ndodhi pasi ai, ka bërë hapjen e katër dritareve në njërën faqe të objektit, të cilin do ta kthente në studio muzikore.


Video