Dy adoleshenta janë arrestuar nga Policia, pasi sillnin lëndë narkotike me postë nga Mbretëria e Bashkuar në Shqipëri.
Në kuadër të operacionit “Green mail 2” janë vënë në pranga shtetasit David Shehu dhe Mariglen Vata, të dy 18 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
"Në vendin e quajtur “Rrethrrotulli”, Plepa, Durrës, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në taksinë me të cilën udhëtonte drejt Tiranës, shtetasi David Shehu. Si rezultat i kontrollit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 pako kartoni, brenda të cilave ndodheshin 5 qese me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, me peshë totale rreth 340 gramë." thuhet në njoftimin e Policisë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se pakot kanë ardhur me postë nga Mbretëria e Bashkuar në Shqipëri dhe se porositësi i tyre është Mariglen Vata, i cili ka dërguar shtetasin David Shehu për t’i marrë pakot nga vëndi i mbërritjes (Durrës) dhe për t’i sjellë në Tiranë.
Policia njofton se vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në të.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Ky është operacioni i dytë policor i zhvilluar brenda 3 muajve të fundit, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet postës, nga Mbretëria e Bashkuar. Operacioni policor i koduar “Green mail” u zhvillua më 30 qershor 2022 dhe si rezultat u sekuestruan rreth 1.3 kilogramë kanabis dhe u vunë në pranga dy shtetas.