Elisabeta Imeraj në Veting, zbulohet skandali i paprecedentë me vëzhguesin ndërkombëtar

30 March 2022, 17:04Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Elisabeta Imeraj në Veting, zbulohet skandali i paprecedentë me
Elisabeta Imeraj duke shkuar ne Veting

Drejtuesja e prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj u përball sot me trupën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në seancën e mbrojtjes.

E ndërsa shkalla e parë e konfirmoi në detyrë, Komisioneri Publik me rekomandimin e ONM-së kërkoi shkarkimin e saj duke e çuar në shkallën e dytë dhe të fundit të vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri.

Imeraj kërkoi lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë, ose riçeljen e hetimit gjyqësor dhe administrimin e provave të reja që sipas saj i shërbejnë hetimit të plotë të çështjes.

Zonja Imeraj në fillim të seancës kërkoi që të përfaqësohet edhe nga avokati i saj, Gregori Twon i Dhomës së Avokatisë së Strasburgut, por duke qenë edhe vetë e pranishme.

Pasi u tërhoq 30 minuta për marrjen e këtij vendimi KPA e pranoi në këtë kërkesë të Imerajt.

Si fillim Komisioneri Publik renditi akuzat dhe gjetjet ndaj Elisabeta Imerajt, që janë të njëjta me ato çka ka thënë më parë komisioneri, mbi pasurinë dhe profesionalizmin.

Ajo që ra në sy gjatë seancës është përmendja e një emri dhe një personazhi të çuditshëm, anonim, një situatë skandali që implikon jo vetëm vëzhguesin e ONM-në, por dhe vë seriozisht në dyshim procesin e vettingut në këtë rast.

Më konkretisht në seancë u zbulua se Theo Jacobs (vëzhguesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit) disa javë më parë ka referuar në SPAK e-mail-in e një zonje e cila i shkruante Theo Jacobsit mbi disa ryshfete të supozuara të prokurores Imeraj.

Vox News që ndoqi nga afër procesin e Vetingut për Imerajn mësoi emrin e denoncueses, që në të vërtet është një personazh i njohur për organet ligjzbatuese shqiptare pasi në 3 vitet e fundit ka bërë dhjetëra kallëzime, për gjithë zinxhirin drejtues të shtetit shqiptar, madje dhe për komisionerët e vettingut, ambasadoren amerikane, artistë, këngëtarë, Mark Zuckebergun madje ka denoncuar dhe presidentin e Kinës Xi Jiping, duke e akuzuar atë si personin që e ka helmuar.

Ajo quhet Erjona Fino dhe është një personazh i njohur për policinë, prokurorinë dhe gjykatat pasi denoncimet e saj nuk rreshtin, por të gjithë janë të qartë se bëhet fjalë për një person me probleme të shëndetit mendor.

Habia ka ndodhur gjatë seancës së gjatë të prokurores Elisabeta Imeraj, ku papritur u zbulua se Eriona Fino është "dëshmitarja" që komisioneri Theo Jacobs njeh zyrtarisht si denoncuesen e prokurores së Tiranës. Jacobs ka referuar në SPAK disa muaj më parë një e-mail të denoncueses.

SPAK ka pushuar hetimet mbi këtë personazh pasi qartazi denoncuesja kishte probleme të shëndetit mendor dhe çështja konsiderohej e pa kuptimtë.

Në lidhje me këtë fakt ka folur edhe prokurorja Imeraj.

“Denoncuesi i rremë Rrahim Shehu, Valentino Ymeri apo qytetarja me emrin E.F etj, të tre emrat përfaqësojnë të njëjtin person. Unë nuk jam, dhe kurrsesi nuk mundet të jem prokurori apo individi që përshkruhet në ato emaile. Ai individ nuk jam UNË. Nuk e kam menduar ndonjëherë dhe më duket absurde ta dëgjoj.

Ndaj më lejoni të tregoj veten time, punën time, dhe çdo gjë timen ashtu siç jam unë, siç fëmijët më njohin, siç familjarët më njohin, siç kolegët ku punoj me njohin dhe siç komuniteti ku jetoj më njeh”.

Denoncuesja E.F ka punuar më parë në Ministrinë e Mbrojtjes, por është larguar për shkak të shfaqjes së problemeve. Që prej asaj kohe ajo i është përkushtuar denoncimeve pa fund në rrjete sociale.

Vitet e fundit ajo ka qenë denoncuese në vazhdimësi e qindra personazheve publikë, por fjalori dhe akuzat e saj janë më së shumti halucinacione.

Ambasadorët, artistët apo edhe politikanë të huaj si presidenti i Kinës Xi Jiping, krijuesi i Facebook, Zuckeberg, etj nuk i kanë shpëtuar akuzave të saj të gjata. Në një prej denoncimeve të saj shkruan:

“Jua them unë. Koronavirusi është eksperimentuar te mua në vitin 2019 kur Saimir Tahiri u mor i pandehur dhe buçe Valdrin Pjetri agjent i iranianëve u shkarkua nga drejtor i përgjithshëm i hipotekave. Pra është virus i krijuar në laboratorët e Kinës dhe më zgjodhën mua për të eksperimentuar dhe unë do denoncoj Xi Jiping dhe shtetin kinez për dëmin e shkaktuar dhe metodat e tyre eksperimentale me vaksina ndaj meje dhe çdo shtet që është përfshirë në këto eksperimente.

Unë jam qenie njerëzore dhe jo kavia juaj perverse. Unë jam kundër vaksinave dhe kjo ndodhi dy ditë pas ditëlindjes së Ilir Metës i cili është agjent i kinezëve”, thotë ajo.

Çfarë tha Imeraj gjatë procesit të mbrojtjes:

“Ushtroj funksionin e Prokurorit të Republikës së Shqipërisë që nga viti 2004, me mbarimin e Shkollës së Magjistraturës. Në punën time si prokuror, jam hasur me vështirësi në drejtim të ushtrimit të detyrës për arsye nga më të ndryshmet, por në asnjë rast nuk jam gjetur përballë vështirësisë totale të realizimit të detyrës apo mbrojtjes së vetes dhe familjes time siç po ndodh tani, nga sulme të çuditshme të paraqitura me denoncime në copa letrash, apo emaile me emra te rremë, si Rrahim Shehu, Valentino Ymeri, apo me emrin e një qytetareje, për të cilën duhet të sqarohemi mbi përmbajtjen e denoncimeve të saj.

Nuk mundet dhe nuk qëndron të lë veten dhe personalitetin tim, jo në përputhje me realitetin. Jam hasur gjate këtij procesi të rivlerësimit, me konkluzione të quajtuar opinione apo gjetje, të cilat referojnë si burim prove, letra anonime. Jam hasur gjate këtij procesi me cënim të jetesës personale edhe në kushtet kur nuk ishte e nevojshme. Jam hasur gjate këtij procesi edhe me futjen e akteve të falsifikuara në dosje, me synimin për të arritur qëllimin dashakeq.

Më lejoni mbi të gjitha karshi fëmijëve dhe familjarëve të mi, të paraqes prokuroren Elizabeta Imeraj, nënën Elizabeta Imeraj, motrën dhe familjaren Elizabeta Imeraj. Më lejoni të mbroj Dinjitetin Njerëzor dhe Figurën që e kam krijuar në vite, me punën, sjelljen dhe mbi të gjitha me edukimin që më kanë dhënë prindërit e mi. Jam rritur në një familje, me babanë oficer dhe mamanë ekonomiste, e kuptoj më së miri disiplinën dhe ndërgjegjen që duhet të karakterizojë një njeri.

Kam hetuar çështje të ndryshme, dhe jam hasur me sulme të ndryshme, duke përfshirë dhe ato politike. Në periudha të ndryshme kohore për shkak hetimesh janë përpjekur dhe të më intimidojnë për shkak të origjinës time nga Tropoja, janë përpjekur të vendosin sa në një rryme politike apo në tjetrën, janë përpjekur të më trembin në mënyra të ndryshme. Ia kam arritur që të jem e pacenueshme, jo sepse jam e fortë, apo e pandjeshme, por sepse përpiqem të zbatoj gjithmonë të drejtën.

Unë nuk mundet të pasqyrohem, si prokurori që nuk përmbush kriterin profesional, pasi nuk është ashtu:

 - Jam prokurori që kam dërguar përgjatë viteve në gjykim thuajse 180 të pandehur dhe mundem të kem marrë vetëm dy apo tre pafajësi.

 - Kam ndjekur çështje të rëndësishme dhe sensitive në opinionin publik.

 - Kam hetuar politikanë, zyrtarë në nivele të larta, anëtarë të krimit të organizuar, terroristë etj.

Përkushtohem në maksimum për të bërë të mundur bashkëpunimin dhe bashkërendimin ndërinstitucional me qëllim të mirën e punës.

Jam edhe mamaja e dy fëmijëve të mi; vrapoj pas tyre në çdo minutë të kohës time të lirë, për t'i mësuar, për t'u përkujdesur e për t'i edukuar mirë, duke ju falur dashuri pafund.

Jam bija e tim eti, qe vrapoj pas tij, në çdo moment. Jam bija e sime mëje dhe përballojmë bashkë sfidën e madhe të sëmundjes së rëndë që po kalon që nga viti 2019.

Kjo jam UNE të Nderuar, krejt e ndryshme nga ajo që rezulton nga denoncuesi i rremë Rrahim Shehu, Valentino Ymeri apo qytetarja me emrin E.F etj.

Duke besuar tek gjykimi i Trupës Gjykuese, bazuar në Ligjin 49/2012, Ligjin 84/2016, Aneksi i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, pas shqyrtimit të ankimit dhe parashtrimeve të mia në cilësinë e subjektit të rivlerësimit,

 

K Ë R K O J:

 

1. Riçeljen e hetimit gjyqësor dhe administrimin e provave të reja që i shërbejnë hetimit të plotë të çështjes duke administruar aktet dhe provat sipas kërkesës për prova bashkëlidhur.

 

2. Lënien në fuqi te vendimit me Nr 363 të datës 01.04.2021 për konfirmimin në detyrë të subjektit Elizabeta Imeraj.

Seanca e radhës do të mbahet të enjten në orën 12 e 30 ku pritet flas avokati i zonjës Imeraj.

 


Video