Kryeprokurorja e Tiranës Elisabeta Imeraj, do të përballet sot me vettingun. Imeraj po mbrohet sot nga avokati Gregori Rituan, avokat në Strasburg. Megjithatë edhe vetë prokurorja do jetë e pranishme në seancë.
Gruaja “e hekurt” e organit të akuzës ka marrë konfirmimin në detyrë në shkallën e parë, por Komisioneri Publik ka ankimuar me kërkesë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Organ me të cilin Imeraj ka pasur disa përplasje.
Dy seancat e kaluar në ditët e para të marsit 2022, janë shtyrë sepse Elisabeta Imeraj është infektuar me covid-19 dhe këtë e ka konfirmuar dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit.
Kush është prokurorja “e hekurt” Elisabeta Imeraj
Elisabeta Imeraj është një nga prokuroret më me eksperiencë të sistemit të drejtësisë që është përballur me disa nga dosjet më të vështira të korrupsionit në nivel politik dhe të krimit të organizuar të nivelit të lartë. Sukseset e saj kanë bërë që shkalla e parë e vettingut ta konfirmonte në detyrë dhe të jepte “dritën jeshile” për të tre kriteret; pasurinë, profesionalizmin dhe pastërtinë e figursë.
Komisioneri Publik vendosi ankimimin e konfirmimit në detyrë, kryesisht për vërejtjet që kanë të bëjnë me ish-bashkëshortin e saj, por Imeraj paraqiti një kontratë paramartesore të vitit 2007, sipas të cilës, pronat e bashkëshortit, me të cilin u divorcua në vitin 2019, i përkasin atij dhe ajo nuk është përgjegjëse. Një argumentim që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e pranoi si të vlefshëm.
Në përballjen e parë me vettingun, Elisabeta Imeraj “shënoi” dhe një sukses tjetër në përballjen me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Ajo rrëzoi disa akuza të vëzhguesit ndërkombëtar Theo Jacobs, i cili sot është bërë shkak që vendimi për kryeprokuroren e Tiranës është ankimuar.
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe përfaqësuesi i saj në Shqipëri, Theo Jacobs është vënë nën akuzë të fortë për sajesë të provave që më pas janë përdorur në seancën kundër prokurores Elisabeta Imeraj. Bëhet fjalë për një letër “anonime” që i është dërguar ONM-së nga një person i vetëquajtur “Rrahim Shehu” por që vettingu më vonë e provoi se ishte një “person fiktiv”. Pra, nuk ekzistonte.
Zbardhet vendimi i vettingut: ASNJË provë kundër Kryeprokurores së Tiranës Elisabeta IMERAJ
Mesazhet në këtë letër anonime u përdorën nga Theo Jacobs për të dëmtuar Imerajn, por këmbëngulja e kësaj të fundit dhe mospërputhja e disa ngjarjeve në dokument, bëri që ajo të rrëzohej si e pavërtet dhe me qëllim denigrimin e kryeprokurores së Tiranës. KPK arriti të provojë se Elisabeta Imeraj NUK kishte përgjuar apo vëzhguar një prej vëzhguesve ndërkombëtar.
Megjithatë, përballja e “zonjës së hekurt” të akuzës së Tiranës me përfaqësuesit ndërkombëtarë nuk do të mbetej me kaq. Kur letra e “Rrahim Spahiut” doli fiktive, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit nxori një tjetër dokument për Elisabeta Imerajn.
Sipas ONM-së, për ish bashkëshortin dhe ish kunatin e saj, “ka të dhëna të forta se janë dënuar për Trafikim të qenieve njerëzore dhe organizim prostitucioni në Romë të Italisë në vitin 2002”. Në seancë publike në vetting, Imeraj e ka hedhur poshtë një fakt të tillë duke pretenduar se bëhet fjalë për dy persona të tjerë me të njëjtët emra.
Por sipas ONM-së koincidencat janë të mëdha, pasi “në rastin e ish bashkëshortit bëhet fjalë për datëlindje dhe muaj lindje të njëjtë, ndryshon vetëm viti, ndërsa në rastin e ish kunatit të njëjtën datëlindje si sozia e tij”.
Elisabeta Imeraj arriti dokumentojë me prova se edhe ky pretendim i ONM-së për trafikimin e qenieve njerëzore ishte i pabazë, pasi vendimi i Gjykatës së Romës, që ne po e publikojmë më poshtë, tregon Agron Bajri, ish-bashkëshorti i Elisabeta Imerajt, nuk ka qenë i dënuar asnjëherë në Itali.

