Fqinjët e Nuredin Dumanit kanë treguar tmerrin që kanë përjetuar një natë më parë në lagjen “Apollonia” në Fier, aty ku zbarkoi RENEA për të shumëkërkuarin.
Një ditë pasi Dumani u vu në pranga e tashmë ndodhet tek Spitali i Traumës, fqinjët janë shprehur se janë tmerruar nga zhurmat që kanë dëgjuar, por që nuk e kuptonin se çfarë po ndodhte.
Për Dumanin ata kanë shtuar se ai kishte vetëm një javë që e kishte marrë atë shtëpi me qira dhe se ata janë ndjerë të frikësuar gjatë gjithë kohës.
“Banesën me qira e ka marrë para një jave. U tmerruam nga zhurmat. Ishim në gjumë kur dëgjuam zhurmën dhe u trembëm. Komplet pallati ishte në terror, nuk e kuptonim se çfarë po ndodhte. Kishim frikë, nuk dinim kujt t’i drejtoheshim”- janë shprehur fqinjët.
“Unë banoj në kat të tretë, ngjarja ka ndodhur në kat të katërt. Vetëm dëgjoja mbrëmë policët që i binin derës me mjete të forta për të hapur derën. Tmerr, u tmerruam. Ata rrinë me qira në fakt. U trokita para 3 ditëve, mos më bëni zhurmë u thashë se jam me tension nuk duroj dot. Na fal, na thanë. Ai që doli ishte rreth 45 vjeç. Pastaj më erdhi për së dyti e më trokiti mua. Unë thashë po ky pse më trokiti prapë? Tha, dëgjo nuk jam unë që bëj zhurmë, është ai lart tha. Epo mirë na fal i thashë unë, që të bezdisa”, tregon një banore e këtij pallati.