
Jetlira Elezi, 37-vjeçe mbeti e vdekur në vend pasi u godit me thikë nga bashkëshorti i saj 37-vjeçari Ramis Mici. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme në Elbasan, në një banesë në lagjen ‘Skëndërbej’.
Nga dëshmia e pronarit të banesës i cili u kishte lënë shtëpinë me qira, vetëm 3 ditë më parë kishte qenë policia e cila kishte prangosur Ramisin për dhunë. Që nga ai moment kur 37 vjeçarja ishte kthyer ne banesë ajo nuk jetonte më në katin e parë të banesës me qira por pronarët i kishin lëruar një ambient në bodrum, aty ku ndodhi dhe krimi i rëndë.
Pronari i banesës Xhaferr Zdrava tregon me detaje ngjarjen e rëndë dhe sesi e gjeti të mbuluar nga gjaku. Ai thotë se ka parë momentin e fundit kur autori u largua nga shtëpia.
Ndërsa e zonja e shtëpisë Leme Zdrava thotë se veç episodit të para tre ditësh nuk kishin konstatuar probleme dhe zënka. Sipas saj marrëdhënia e tyre me çiftin ishte e ftohtë.
Burime zyrtare nga prokuroria sqarojnë se gruaja nuk ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje ndërsa kishte bërë vetëm një kërkesë.
Të dy ishin të divorcuar dhe kishin nga dy fëmijë nga martesat e mëparshme, ndërsa bashkë nuk kishin. Jetlira mbante një nga fëmijët e saj, ndërsa fëmijët e Ramisit mbahen nga ish e shoqja. Vajza e viktimës fatmirësisht nuk ka qenë në banesë kur ka ndodhur ngjarja pasi ndodhej te babai.
Mësohet se të dy punonin, burri merrej me gipse ndërsa gruaja punonte në një fast food. Ndaj ka dyshime se ngjarja ka ndodhur për arsye xhelozie dhe jo ekonomike.
Autori ishte nga fshati Selitë në Mollas, ndërsa viktima nga një fshat i Belshit. Policia ndërkohë është vënë në ndjekje të autorit, ndërsa po vijon krehja e zonës për kapjen e tij.