Brenda disa ditësh, në Aeroportin ende në ndërtim të Vlorës, do të ulet aeroplani i parë.
Një gjë të tillë e ka bërë me dije gazetari nga Kosova, Berat Buzhala, i cili ka thënë se “burimet” i kërkuan që këtë lajm “të mos e bëjë të madh”.
Mbetet e paqartë nëse ky fluturim do të realizohet për të kryer testime, apo do të jetë më tepër një event i nxituar në kuadër të fushatës elektorale të Partisë Socialiste.
Shpesh kemi parë se si në prag fushatash, tunele, rrugë apo vepra të tjera infrastrukturore hapen për pak ditë, për t’u mbyllur sërish më pas deri në përfundimin e punimeve.
Kujtojmë se Aeroporti i Vlorës pritet të hapet zyrtarisht në muajin tetor. Ai ka një pistë prej 3.2 kilometra të gjatë që mundëson fluturime ndërkontinentale.
Së fundmi, Aeroporti i Mynihut u tërhoq nga mbështetja për këtë aeroport, pas protestave nga ambientalistët që shprehen se aeroporti i ndërtuar në Akërni, në zonën e mbrojtur të Lagunës së Nartës do të shkatërrojë biodiversitetin e zonës.