
Dorian Koçi, historian dhe autor i librit "Një histori e shkurtër e Azerbajxhanit", mori pjesë në Forumin e Politikave të Universitetit ADA, edicioni i 7-të, i zhvilluar në Khankendi dhe Baku.
Forumi organizohet çdo vit nga Universiteti ADA, Instituti për Zhvillim dhe Diplomaci (IDD) dhe Qendra për Analizën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare (AIR Center), duke ofruar një platformë për diskutime kritike dhe perspektiva të reja mbi sfidat globale.
Tema e këtij viti, “Formësimi i Rendit të Ri Botëror – Sovraniteti, Qëndrueshmëria politike, sociale, ekonomike dhe Rezilenca ”, mblodhi së bashku 80 pjesëmarrës ndërkombëtarë, më shumë se gjysma prej të cilëve merrnin pjesë për herë të parë. Aktiviteti nisi të martën më 8 prill në Universitetin e Karabakut në qytetin Khankendi, ndërsa të nesërmen pjesëmarrësit u takuan në Baku me Presidentin Ilham Aliyev, i cili trajtoi çështje aktuale të procesit politik ndërkombëtar.
Temat e diskutuara ishin të lidhura ngushtë me realitetin e tanishëm ndërkombëtar: konfliktet rajonale dhe globale, radikalizimi i skenës politike, rritja e nacionalizmit dhe sulmet ndaj kulturave të ndryshme, kriza e multilateralizmit, dobësimi i së drejtës ndërkombëtare dhe mbizotërimi i forcës dhe dhunës si mjete politike. Këtyre u shtohen edhe sfidat klimatike, emigracioni, proteksionizmi dhe luftërat tregtare.
Sipas Dorian Koçit, pjesëmarrja në Forum ishte “një mundësi e çmuar për të kuptuar më thellë vizionin politik të Azerbajxhanit në një kontekst të transformimeve të mëdha ndërkombëtare, duke pasur parasysh edhe faktin që Shqipëria dhe Azerbajxhani kanë ndërtuar një partneritet të qëndrueshëm ndërsa Shqipëria është një nga vendet ku kalon TAP dhe përfitues i gazifikimit të rajonit të Korçës , ndërsa Azerbajxhani është partneri kryesor i Shqipërisë në rajonin e Kaukazit Jugor”.
“Një rëndësi të veçantë pati vizita në rajonin e Karabakut dhe veçanërisht në qytetin e Khankendit, ku pata mundësinë të shoh nga afër përparimin e rindërtimit dhe zhvillimin e infrastrukturës moderne në një kohë shumë të shkurtër pas çlirimit që përfundoi një vit e gjysmë më parë,” u shpreh historiani shqiptar. “Strategjia e qeverisë së Azerbajxhanit parashikon që deri në vitin 2030 mbi 150,000 persona të rikthehen të jetojnë në Karabak. Duke parë ritmin e punimeve, ky objektiv duket plotësisht i arritshëm.”