“Administrata të bashkohet me popullin” - Thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e nesërme: Të jemi sa më shumë kundër antimitingut të Ramës!

11 Qershor 2026, 22:35Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Pamje nga marshimi ne Tirane

Një thirrje u shpërnda nga protestuesit për tubimin e ditës së nesërme. Ndërsa protesta kundër qeverisë dhe klasës politike ka hyrë në ditën e saj të 12-të, qytetarët po kërkojnë një mobilizim akoma më të madh për t’iu përgjigjur asaj që e konsiderojnë si provokim nga ana e kryeministrit Edi Rama.

Pasi Edi Rama njoftoi mbajtjen e një antimitingu në Sheshin “Italia” në të njëjtin orar me protestën, organizatorët dhe qytetarët iu kanë bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që të vërshojnë drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të treguar forcën e tyre përballë asaj që e quajnë “antimiting të Ramës me administratën”.

“Nesër të jemi sa më shumë kundër antimitingut të Ramës me administratën e tij!” është kryefjala e thirrjeve.

Një vëmendje e veçantë në këto thirrje i është kushtuar punonjësve të administratës publike, të cilët sipas protestuesve, po detyrohen të dalin në shesh për të mbrojtur pushtetin.

Protestuesit kërkojnë që punonjësit e shtetit të mos përdoren si mburojë politike, por të rreshtohen krah qytetarëve që kërkojnë ndryshim.

Pjesëmarrja masive shihet si zgjidhja e vetme për të bllokuar tentativën e kryeministrit për të krijuar një imazh mbështetjeje përmes administratës.

Sakaq, pas fjalimeve të mbajtura para godinës së Kryeministrisë, protestuesit kanë nisur marshimin në rrugët e kryeqytetit, duke vijuar protestën që po zhvillohet për të 12-ën ditë radhazi.



Video