Deputetja e PS del në mbështetje të ish-deputetit të PD-së pas dorëheqjes si rektor të Universitetit të Shkodrës

11 Qershor 2026, 20:21Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Tonin Gjuraj dhe Marjana Koçeku

Dorëheqja e rektorit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Tonin Gjuraj, ka sjellë reagime edhe në radhët e Partisë Socialiste.

Deputetja e PS-së për Shkodrën, Marjana Koçeku, ka shprehur t keqardhjen për largimin e Gjurajt, duke e cilësuar atë si një nga njerëzit që e ka dashur më shumë Universitetin e Shkodrës dhe duke vlerësuar integritetin dhe përkushtimin e tij në drejtimin e institucionit.

“Pak njerëz kam njohur që e kanë dashtë Universitetin e Shkodrës sa Prof. Dr. Tonin Gjuraj.

Prandaj lajmi për dorëheqjen e tij më ngjall keqardhje për qytetin tem.

Në një kohë kur universitetet kanë nevojë për personalitete me integritet, vizion dhe kurajë, largimi i tij mund të konsiderohet nji zhvillim jo i mirë.

Nuk më takon mue të komentoj arsyet e këtij vendimi. Por më takon të shpreh respektin ma të naltë për nji profesor që i ka shërby arsimit, Shkodrës dhe studentëve me seriozitet e përkushtim.

Ky vendim ka nevojë për nji reflektim institucional nga ana e universitetit, ma shumë se asnjiherë”, shkruan Koçeku.

Reagimi merr një peshë të veçantë politike për faktin se Tonin Gjuraj ka qenë më herët deputet i Partisë Demokratike, ndërsa sot mbështetja për të vjen nga një përfaqësuese e mazhorancës socialiste.

Në letrën e dorëheqjes drejtuar Ministres së Arsimit, Gjuraj argumenton se vendimi i tij lidhet me mosmarrëveshjet me Bordin e Administrimit të universitetit.

Ai akuzon bordin për vendimmarrje të njëanshme, shkelje ligjore dhe ndërhyrje që, sipas tij, cenojnë autonominë universitare dhe pengojnë proceset e zhvillimit të institucionit.

Dorëheqja e rektorit vjen pas vetëm dy vitesh në krye të Universitetit të Shkodrës, ndërsa debati mbi autonominë universitare dhe rolin e bordeve të administrimit pritet të rikthehet sërish në qendër të vëmendjes.


Video