“Shqipëri e re”, protestuesit marshojnë në rrugët e kryeqytetit

11 Qershor 2026, 21:57Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Pamje nga marshimi

Pas fjalimeve para Kryeministrisë, qytetarët kanë vijuar protestën me marshim në rrugët e Tiranës, duke përsëritur thirrje kundër klasës politike dhe për ndryshim

Pas fjalimeve të mbajtura para godinës së Kryeministrisë, protestuesit kanë nisur marshimin në rrugët e kryeqytetit, duke vijuar protestën që po zhvillohet për të 12-ën ditë radhazi.

Me thirrjet “Shqipëri e re”, “Revolucion, revolucion”, pjesëmarrësit u drejtuan në grup përgjatë akseve kryesore të Tiranës, duke shprehur pakënaqësinë ndaj klasës politike dhe duke kërkuar ndryshime në qeverisjen e vendit.

Gjatë marshimit janë dëgjuar edhe thirrje të tjera kundër figurave kryesore politike, ndërsa protestuesit kanë theksuar se lëvizja tashmë ka tejkaluar kauzën fillestare të mbrojtjes së mjedisit në Zvërnec dhe Nartë.

Sipas pjesëmarrësve, protesta është kthyer në një lëvizje më të gjerë qytetare, e fokusuar te e ardhmja e fëmijëve, të rinjve, lufta kundër korrupsionit dhe mbrojtja e interesit publik.

Tubimi dhe marshimi janë zhvilluar në mënyrë paqësore, pa incidente, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se protestat do të vijojnë çdo ditë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.


Video