“Kanë armë”/ Policia ndalon Mercedesin në Durrës, njëri prej të rinjve braktis automjetin, ç’ndodhi me 2 të rinjtë

11 Qershor 2026, 21:34Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Një operacion policor është zhvilluar pasditen e sotme në lagjen numër 4 në Durrës, ku forca të shumta policie kanë ndërhyrë për ndalimin e një automjeti tip “Mercedes ML” me ngjyrë të zezë, në të cilin udhëtonin dy të rinj nga qyteti bregdetar.

Policia kishte siguruar informacione operative se dy të rinjtë mund të posedonin armë zjarri. Pas lokalizimit të mjetit, efektivët u kanë bërë thirrje të ndalonin për kontroll, por ata nuk i janë bindur urdhrit të policisë.

Gjatë ndërhyrjes, njëri prej të rinjve ka braktisur automjetin në mes të rrugës dhe është larguar me vrap, ndërsa personi tjetër është neutralizuar dhe shoqëruar në ambientet e policisë.

Pas kërkimeve, efektivët kanë arritur të lokalizojnë dhe kapin edhe të riun që u largua nga vendi i ngjarjes.

Autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të verifikuar informacionet lidhur me armët e zjarrit që dyshohet se posedoheshin nga të rinjtë.


Video