Situata nga zjarret në vendin tonë, duket të jetë tepër më e rëndë nga çfarë raportohet nga autoritetet, madje edhe më e rëndë se në Greqi, vendi fqinj duket se ka arritur të vërë nën kontroll numrin më të madh të vatrave të zjarreve, falë edhe ndihmës nga vendet e BE-së.
Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë raportoi sot 20 vatra aktive zjarresh, prej të cilave tha se janë shuar 6 vatra, ndërsa aktive mbeten edhe 14 të tjera.
Por sipas Agjencisë Aeronautite Amerikane, NASA, situata në terren është ndryshe.
Sipas FIRMS (Informacioni i Zjarrit për Sistemin e Menaxhimit të Burimeve), një projek i NASA në bashkëpunim me disa agjenci të tjera, në vendin tonë, gjatë ditës së sotme kanë qenë aktive plot 27 vatra zjarri, nga Tropoja deri në Konispol.
Shumë prej këtyre vatrave të zjarrit korrespondojnë me ato që ka raportuar Ministria e Mbrojtjes apo janë raportuar në media, megjithatë shumë vatra zjarri të tjera mungojnë. Nga 27 vatra aktive në vendin tonë, nuk janë marrë parasysh zonat ku janë tre apo katër vatra zjarri shumë pranë njëra-tjetrës. Ato janë konsideruar si një vatër e vetme.
Satelitët e NASA arrijnë të shikojnë nga hapësira zjarret në të gjithë botën, duke përllogaritur intensitetin e ndriçimit që zjarret lëshojnë, dritë e cila më pas kapet nga sensorët e satelitëve të NASA. Sa më i lartë të jetë intensiteti i ndriçimit, aq më e fortë dhe aktive është vatra e zjarrit.
Vlen të theksohet se situatë e ngjashme e rëndë është edhe në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë.