
Sylvinho e konsideron eksperiencën me Kombëtaren shqiptare një nga kapitujt më të rëndësishëm të karrierës së tij si trajner.
Në intervistën për “Flashscore”, braziliani rikthehet te periudha e tij në Shqipëri, duke folur për marrëdhënien me lojtarët, bashkëpunimin me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, dhe arritjet e skuadrës kuqezi.
“Kur flasim për punën tonë në Shqipëri, presidenti Armand Duka, i cili punon edhe me UEFA-n, ishte shumë i qartë kur na kontaktoi: ‘Kjo është ideja. Duam që të vini këtu dhe të japim më të mirën nga ju, sepse e di që mund ta bëni këtë’. Dhe ne i thamë: ‘Perfekt, le të shkojmë’”, tregon Sylvinho.
Braziliani kujton me krenari rrugëtimin drejt Kampionatit Evropian 2024, ku Shqipëria përfundoi e para në grupin kualifikues, përpara Polonisë dhe Çekisë. Ai përmend gjithashtu fushatën pasuese, në të cilën kuqezinjtë përfunduan në vendin e dytë pas Anglisë dhe siguruan një vend në fazën e play-off-it të Botërorit, ku u eliminuan nga Polonia.
Sipas Sylvinho-s, suksesi nuk erdhi vetëm nga ajo që shihej në fushë, por edhe nga puna e përditshme në prapaskenë. Ai shpjegon se stafi mund të punonte 15–16 orë në ditë, duke analizuar kundërshtarët, përgatitur stërvitjet dhe shqyrtuar çdo detaj taktik. Kjo punë, sipas tij, ndihmoi lojtarët të besonin te projekti.
Një tjetër element që braziliani veçon është lidhja njerëzore e krijuar me skuadrën dhe njerëzit përreth saj. Së bashku me Dorivëa-n dhe Pablo Zabaleta-n, ai ndërtoi jo vetëm një marrëdhënie të fortë profesionale me futbollistët, por edhe një raport të afërt me ambientin shqiptar.
“Ne erdhëm në një vend ku nuk e njihnim gjuhën. Për fat të mirë, shumë njerëz flisnin italisht dhe koha ime me Roberto Mancini-n te Inter-i më kishte ndihmuar edhe me gjuhën. Ka gjëra që i lidhin njerëzit. Ne jemi latinë, amerikanojugorë. Na pëlqen kontakti, përqafimet, të ulemi bashkë dhe të pimë një kafe të mirë”, shprehet ai.
“Mbaj mend që shkova në katin e katërt të ndërtesës së federatës për të pirë një kafe dhe pashë një roje sigurie atje. Ai ishte shumë i sjellshëm dhe u tërhoq, por unë i thashë: ‘Jo, ulu’. Piva kafenë time, u ula me të për pak kohë, biseduam dhe pastaj u largova. Ato gjëra të vogla kanë rëndësi.
Ne ishim anëtarët e parë të stafit që jetonim në Tiranë dhe punonim çdo ditë në federatë. Presidenti gjithmonë më thoshte: ‘Federata është këtu, kështu që duhet të jetosh në qytet’. Dhe unë isha i lumtur ta bëja këtë dhe të punoja ngushtë me ekipin”.
“Lojtarët më pyesnin: ‘Si jeton këtu në Tiranë? Të pëlqen? Ndihesh rehat?’. Dhe unë u përgjigjesha: ‘Sigurisht. Jam në shtëpi, jam me bashkëshorten time. Ndoshta nuk jam në Brazil, por jetoj mirë’”, kujton ish-trajneri i kuqezinjve.
Ai e përshkruan ndarjen nga Shqipëria si përfundimin e një cikli të përbashkët, pas bisedave me presidentin e FSHF-së. Sipas tij, si federata, ashtu edhe stafi teknik kishin bërë përpara dhe kishte ardhur momenti për të mbyllur atë kapitull.
“Marrëdhënia jonë me federatën dhe me Shqipërinë do të jetë e përjetshme”, përfundon Sylvinho.
52-vjeçari u largua nga Shqipëria pasi drejtoi kuqezinjtë në 34 ndeshje, duke regjistruar 15 fitore, shtatë barazime dhe 12 humbje.
Sylvinho arriti ta kualifikonte Shqipërinë në Euro 2024 dhe ta çonte drejt fazës së play-off-it për Botërorin 2026, dy kapituj të rëndësishëm që vulosën periudhën e tij në krye të kuqezinjve.