
Me pensionimin nga kombëtarja e Argjentinës, Lionel Messi e ka zhvendosur tashmë fokusin te futbolli i klubeve.
Messi nuk është vetëm një legjendë e futbollit, por edhe një markë globale, e cila vazhdon të gjenerojë të ardhura të jashtëzakonshme përtej fushës së lojës.
Sulmuesi është shndërruar në një prej sportistëve më të pasur në botë, me të ardhura bruto të vlerësuara në rreth 1.6 miliardë euro gjatë më shumë se dy dekadave në futbollin profesionist.
Suksesi në fushën e blertë, kontratat marramendëse dhe marrëveshjet me markat më të mëdha ndërkombëtare kanë ndërtuar perandorinë financiare të yllit argjentinas.
Sipas shifrave të raportuara nga Forbes, të ardhurat totale bruto të Messit arrijnë në rreth 1.8 miliardë dollarë.
Nga kjo shumë, afërsisht 1.2 miliardë dollarë janë siguruar nga pagat dhe kontratat me klubet, ndërsa 600 milionë dollarë të tjerë vijnë nga sponsorizimet, reklamat dhe aktivitetet e biznesit jashtë futbollit.
Messi nisi rrugëtimin drejt majave të futbollit te Barcelona, ku u transferua në moshën 13-vjeçare.
Me fanellën katalanase, ai u shndërrua në një prej futbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, përpara se të kalonte te Paris Saint-Germain dhe më pas te Inter Miami, në Shtetet e Bashkuara.
Përvoja amerikane i ka dhënë një dimension të ri karrierës së tij, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në atë ekonomik.
Kontrata me Inter Miami, e vlefshme deri në fund të vitit 2028, raportohet se i siguron një paketë financiare prej 70 deri në 80 milionë dollarësh në vit, duke përfshirë pagën dhe përfitimet e tjera.
Ndryshe nga ofertat e majme që mund të kishte marrë nga Arabia Saudite, Messi zgjodhi të vazhdonte karrierën në MLS, ku emri i tij ka ndikuar në rritjen e interesit për futbollin amerikan.
Një pjesë e rëndësishme e të ardhurave të argjentinasit vjen nga marrëveshjet tregtare. Partneriteti me Adidas, i nisur në vitin 2006 dhe i përforcuar ndër vite, përbën një prej bashkëpunimeve më të rëndësishme të karrierës së tij.
Përveç sponsorizimeve, Messi ka zgjeruar aktivitetet në fushën e pasurive të paluajtshme, turizmit dhe investimeve në futboll.
Prania e tij masive në rrjetet sociale e bën gjithashtu një prej figurave më të vlefshme për markat ndërkombëtare.
Messi renditet mes emrave më të mëdhenj të sportit botëror edhe për fuqinë e tij financiare, në një grup ku përfshihen Cristiano Ronaldo, LeBron James dhe Tiger Woods.