
Prokurori Patricio Ferrari kërkoi 12 vite burg për Leopoldo Luque, neurokirurgun që drejtonte ekipin mjekësor përgjegjës për shëndetin e Diego Maradonës, i cili vdiq më 20 nëntor 2020, në moshën 60-vjeçare. Luque akuzohet për vrasje me dashje eventuale, me rrethana rënduese për shkak të profesionit si mjek dhe marrëdhënies së miqësisë me ish-kampionin.
Prokuroria kërkoi 8 vite burg për Nancy Forlini, koordinatore e sigurimeve shëndetësore “Swiss Medical”, dhe psikiatren Agustina Cosachov; 5 vite për psikologun Carlos Diaz dhe 4 vite për infermierin Ricardo Almiron dhe eprorin e tij, Mariano Perroni. Mjeku Pedro Di Spagna u konsiderua i pafajshëm.
Prokurori Ferrari deklaroi: “Prokuroria ka provuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm ekzistencën e një strukture anarkike, të karakterizuar nga çorganizimi absolut. Ky grup amatorësh drejtohej nga Leopoldo Luque.
Maradonën e braktisën në fatin e tij. Në shtëpinë ku qëndronte nuk kishte doreza, garza, serum, kuti të ndihmës së shpejtë, defibrilator apo ambulancë. Vdekja e tij mund të ishte parandaluar dhe kujdesi mjekësor ishte i papërshtatshëm. Ata harruan se kishin në dorë jetën e një pacienti të cenueshëm, me një gjendje shëndetësore komplekse”.